Pas konferencës për shtyp me Edi Ramën, Albin Kurti foli sërish për situatën në veri të Kosovës. Ai tha se kishte pasur një takim komandantin e KFOR-it ku kanë diskutuar për gjendjen e sigurisë, por u shpreh se nuk ka informacione për ndërhyrje në veri.
“Sot kam pritur në takim komandantin e KFOR-it dhe bashkë me ministrin e brendshëm, Xhelal Svecla jemi në kontakt të vazhdueshëm me institucionet ndërkombëtare në Kosovë. Unë nuk kam informacion të tillë për përgatitje të ndërhyrjes së KFOR-it në veri. Njësia Speciale nuk është në Bërnjakë dhe Jarinjë në mënyrë që ti gëzohemi kësaj situate, ata janë aty me detyrë që ti mbrojnë pikat kufitare dhe policët kufitarë” tha Kurti.
Kryeministri shtoi se kanë pasur tregues të qartë që nëse nuk do të ishte në kufi Njësia Speciale, policët kufitarë dhe godinat do të ishin të rrezikuara seriozisht. “Bllokimi i rrugëve nuk është bërë me bllokada prej maunave dhe njerëzve por edhe me buldozer. Ka kaluar shifra prej 10 mijë automjeteve që kanë ardhur nga Serbia dhe i kanë marrë targat e përkohshme. Në asnjë pikë kufitare nuk ka incidente ku është Policia e Kosovës”, tha Kurti.
Kryeministri theksoi edhe një herë ofertën që të dyja palët t`i heqin targat, duke thënë se nuk ia vlen që ato të mbahen më.
Top Channel