Prokurori Bledar Valikaj ka kërkuar masën ‘arrest shtëpie’ për shtetasin Edevaldo Haxhiaj, i arrestuar pak ditë më parë, i cili akuzohet se ndihmoi të arratisej milionerin e kriptomonedhën turke, Faruk Fatih Özer.
Haxhiaj, nipi i Presidentit të Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Dukës, i cili mori Özer nga aeroporti në Tiranë dhe e dërgoi në hotel, u arrestua në flagrancë nga policia e Tiranës.
Komunikimet e shpeshta me telefon zbuluan se 27 vjeçari Faruk Fatih Ozer i shumë kërkuari i shtetit turk, po ndihmohej nga shtetas shqiptarë në vendin tonë për t’ju fshehur drejtësisë.
Hetimi kundër krimeve kibernetike zbuloi se në 9 raste Ozer foli në telefon me shqiptarë, menjëherë mbasi në datën 20 prill ai kaloi përmes aeroportit të Rinasit.
Njëri nga shtetasit që e ndihmoi atë përgjatë kësaj arratie është 36 vjeçari Edevaldo Haxhiaj i cili ka përfunduar në pranga si personi që e priti turkun e shumëkërkuar, i dyshuar në vendin e tij se mashtroi 391 mijë anëtare për shkëmbimin e monedhave virtuale dhe mbasi grumbulloi asete digjitale në vlerën e 2 bilionë dollarëve u largua nga Turqia.
Njëri nga personat e pyetur është shtetasi Altjan Canaj që tregon se i dyshuari Haxhiaj i kërkoi në telefon të merrte një person me emrin Erkan.
“Mbasi e mora me BMW në ngjyrë të bardhë që i përket Edevaldos e lashë në një hotel pranë 21 dhjetorit dhe më pas u ktheva në Durrës”, tregon dëshmitari.
Të nesërmen kur është takuar me të dyshuarin turku i është prezantuar si Faruk Fatih Ozer. Nga frika më pas kur mësoi se bëhej fjalë për një të shumë kërkuar i riu flaku telefonin e tij së bashku me numrin në përdorim. Edevaldo Haxhiaj pranon se e priti turkun e shumë kërkuar pasi e kishte porosi nga një person tjetër me emrin Murat , që nuk ja prezantoi me identitetin e vërtetë.
“Duke qenë se konsumoja alkool i thashë mikut tim ta priste” rrëfen i dyshuari . Të nesërmen kur u interesova pranë hotelit për Erkanin ata më thanë se ky shtetas quhej Faruk Ozer. Por prokuroria këmbëngul se në përgjimet e detajuara, të riut i shkroi një mik ku e paralajmëronte ” je tu marr veten në qafë për kokë të kalamajve”.
Top Channel