Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla, vizitë zyrtare në Kosovë: BE është destinacioni i Shqipërisë dhe Kosovës

22/09/2021 18:45

Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla, ishte sot në një vizitë zyrtare në Kosovë, e para vizitë jashtë vendit e Kryetares së Kuvendit, pas zgjedhjes në këtë detyrë.

Takimin e parë Nikolla e zhvilloi me Kryetarin e Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca.

“Vizita ime në Kosovë nuk është vetëm simbolikë, por tregon se nuk kemi kohë për të humbur, për të shumëfishuar bashkëpunimin vëllazëror midis të dy Kuvendeve.

Ne do të institucionalizojmë bashkëpunimin midis komisioneve e delegacioneve parlamentare në organizatat ndërkombëtare dhe deputetëve, në mënyrë që të krijojmë një sinergji të re të bashkëpunimit parlamentar. Në këte kontekst, do të institucionalizojmë Tryezën e kryetarëve të komisioneve parlamentare.

Bashkimi Europian është destinacioni i Shqipërisë dhe i Kosovës. Vendet tona nuk kanë asnjë plan B, alternativë të këtij procesi dhe Kuvendi i Shqipërisë dhe Kuvendi i Kosovës do të bashkëpunojnë dhe do të nxisin insitucionet e tjera të të dy vendeve, për përshpejtimin e proceseve integruese.

Shqipëria vlerëson rinisjen e dialogut Kosovë-Serbi, takimin e 15 qershorit dhe 19 korrikut midis Kryeministrit Kurti dhe Presidentit Vuçic, në koordinim me partnerët strategjikë të Kosovës, ShBA dhe BE. Rezultati përfundimtar duhet të jetë një marrëveshje e detyrueshme ligjore, që mundëson njohjen e ndërsjellët mes dy vendeve, anëtarësimin e Kosovës në OKB dhe BE, si dhe trajtim të drejtë të minoriteteve, konform Kushtetutës së Kosovës. Është inkurajuese mbështetja e plote nga administrata e re amerikane dhe Presidenti Biden për “arritjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën, e fokusuar në njohjen e ndërsjellë. Me ndihmën e partnereve strategjikë, ShBA dhe BE, Kosova fitoi në luftë dhe do të fitojë edhe në paqe.”

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, falenderoi Kryetaren Nikolla për vizitën dhe vuri në dukje se “Kjo vizitë hap një kapitull të ri në marrëdhëniet parlamentare midis dy vendeve. Duhet të afrohemi e të bashkëpunojmë më shumë si deputetë të zgjedhur të kombit shqiptar. Bashkëpunimi ynë do të përfshijë jo vetëm politikën e jashtme e bashkëpunimin ndërkombëtar, por do te zgjerohet edhe në fushën ekonomike, tregtare, arsim, kulturë, lidhjet me komunitetet e Diasporës etj.

Kryetarja Nikolla dhe Kryetari Konjufca ranë dakord që midis Kuvendit të Shqipërisë dhe Kuvendit te Kosovës të nenshkruhet një marrëveshje e bashkëpunimit parlamentar.

Gjatë takimit me Kryeministrin Kurti, Kryetarja Nikolla e uroi për detyrën dhe pêr suksese në realizimin e vizionit të tij për një të ardhme më të mirë të qytetarëve.

Kryetarja Nikolla e falënderoi Kryeministrin për ndihmën që shteti i Kosovës i ofroi Shqipërisë per përballimin e pasojave te tërmetit dhe për ndihmën e fundit në shuarjen e zjarreve.

Kryetarja Nikolla vuri ne dukje se bashkërendimi i punëve dhe veprimi i përbashkët me Kuvendin e Kosovës do të jetë një nga prioritetet e detyrës së saj si kryetare e Kuvendit të Shqipërisë. Ajo tha se duhet të shfrytëzohet sinergjia e re dhe të niset me plane konkrete takimesh e agjendash që të ketë rezultate për qytetarët. Ajo nenvizoi se do të nxisë bashkëpunimin e shkëlqyer vëllazëror midis dy qeverive e institucione homologe të Shqipërisë dhe Kosovës. Për të ndërtuar një mekanizëm më efikas për ndjekjen e zbatimin e projekteve e marrëveshjeve mes dy qeverive, në Komisionin Ndërshtetëror që do të ndjekë ecurinë e marrëveshjeve ndërqeveritare do të bëjnë pjesë, përveç ministrave, edhe përfaqësues të komisioneve parlamentare.

Kryeministri Kurti e përgëzoi znj. Nikolla për zgjedhjen Kryetare e Kuvendit të Shqipërisë dhe ra dakord që duhet intensifikim i bashkëpunimit, sepse janë të gjitha mundësitë që të zëmë hapin si komb.

Kryeministri Kurti nenvizoi se duhet të përshpejtohen përgatitjet për mbajtjen e mbledhjes së përbashkët mes dy qeverive.

U diskutuan edhe tensionet e fundit në veri të Kosovës që filluan pas nisjes së zbatimit të vendimit për pajisje me targa të përkohshme për automjetet që mbajnë targa të Serbisë dhe hyjnë në territorin e Republikës së Kosovës.
Kryeministri Kurti ritheksoi se vendimi është i drejtë dhe nuk është provokim e as diskriminim ndaj askujt. Në asnjë vendkalim kufitar nuk ka pasur incidente, ndërsa Policia e Kosovës ka qenë dhe është profesionale, korrekte dhe efikase, tha kryeministri, duke shtuar se njësitë speciale janë aty vetëm për të mbrojtur policinë kufitare dhe vendkalimet kufitare.
Lidhur me situatën aktuale kryeministri tha se është në kontakt të vazhdueshëm me zyrtarë të BE-së dhe ambasadorët e QUINT-it, dhe se Kosova është e gatshme për dialog, porse Serbia po refuzon.

Gjatë takimit me Kryetarin e Komunës së Prishtines, Shpend Ahmeti, Kryetarja e Kuvendit Nikolla bisedoi mbi pergjegjesitë dhe kontributin e qeverisjes vendore në përballimin e sfidave të zhvillimit dhe integrimit europian të Shqipërisë dhe Kosovës.

FOTO GALERI
5/10

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA