“Media dhe informim” është agjensia që po krijon qeveria, ndërsa nuk dihet ende se cfarë do të ndodhë me mënyrën se si do të përqendrojë informacionin qeveria, ndërkohë që pritet të fillojë nga puna pas 2 javësh, kur pritet të emërohet dhe drejtuesi i kësaj agjencie.

Ajo që bie në sy është centralizimi i të gjithë informacionit që qeveria mendon se duhet të kalojë nëpërmjet kësaj agjencie, po ashtu emërimet që lidhen në burimet për informacion dhe media, kështu që të gjitha kanë ngjallur një grumbull të madh dyshimi nëse qeveria do të kanalizojë të gjithë  informacionin që media do ta interpretojë sipas mënyrës së vet.

Analisti Ilir Yzeiri, moderatorja Erla Mhilli dhe ekspertja për komunikimin Edlira Gjoni kanë folur në “Top Talk” për këtë agjensi të re që po krijon qeveria “Rama 3”.

Edlira Gjoni: Së pari u duk sikur do të kishte përplasje për shkka të emërtimit të saj me AMA-n se janë dy gjëra komplet të ndryshme. Së dyti nuk është se nuk e kemi pasur një mënyrë të të kontrolluarit të informacionit se të gjitha mediat, kolegët tanë e kanë marrë informacionin nga zyrat e shtypit të ministrive, por kjo shkon në një stad më të lartë, pra sofistikohet në kuptimin që edhe ministritë do të marrin bashkërendim në këtë entitet që qendërzohet dhe gjithçka do të kalojë prej aty. Këtë e shikoj edhe si një anë për të forcuar në njëfarë mënyre cfarë del nga zyrat e qeverisë, por nga ana tjetër shikoj që do të rrisë pakëz vështirësinë e gazetarëve për të gërmuar më tepër se do të jepet një lajm i gatshëm. Kjo mendoj që rrit vështirësinë se duhet të gërmojnë, por nëse u vënë detyrim institucional njerëzve të mos flasin pa marrë leje, 400-fishohet puna e gazetarëve. Modelet që kryeministri tha nuk i përkasin vitit 2021 por shumë viteve të kaluara dhe vendeve ku qeveria e ka shumë merak kontrollin ose e quajnë me fjalë më të bukura, unifikimin e informacionit që del për të mos konfuzuar.

Ilir Yzeiri: Askush nuk e ka lexuar vendimin. Po ta lexosh, thuhet se qeveria do të riorganizojë informacionin në mënyrë të tillë që ta përcjellë tek publiku sa më mirë të jetë e mundur. Nëse dyshojmë pa filluar puna, atëherë vetëm do të ndërtojmë teori konspirative pafund. Nëse ka një problem që në Shqipëri është zgjidhur, është informacioni për shkak se jemi në kohën e digjitalizimit dhe gjithçka që një gazetar duhet të kërkojë e gjen në të gjitha faqet e ministrive, kryeministrive.  Qeveria është në të drejtën e saj që të paraqesë punën e saj në mënyrën më të mirë. Gënjeshtrat i ka në dorë media dhe shtypi se askush dhe askënd nuk e ka penguar që të ndërtojë një narrativë alternative.

Erla Mhilli: Nuk mendoj se ka ndonjë risi të madhe në këtë gjë. Për mua, thjesht po institucionalizohen ato që kanë ndodhur deri më sot, pra kontrolli që qeveria dhe kryeministri i kanë bërë informacionit, tani do të jetë më i centralizuar. Më shumë se sa një agjensi propagande, është dhe një mënyrë për të kontrolluar ministrat në informacionin që ata përcjellin.

Top Channel