Studentë e pedagogë të universiteteve në vend apelojnë për vaksinimin e kolegëve të tyre.
Në një video mesazh, ku e pranishme është dhe ministrja e Arsimit dhe Sportit, Evis Kushi, ata theksojnë rëndësinë e imunizimit ndaj Covid 19, në mënyrë që viti i ri akademik të zhvillohet në auditore, me prani fizike.
Kushi foli për “sakrificën e madhe të vitit të kaluar me mësimin ‘online’ ” dhe falenderoi studentët e pedagogët “për durimin dhe mirëkuptimin e treguar nga ana e tyre në të gjitha universitetet për bashkëpunimin dhe përshtatjen në një kohë rekord me kushtet e reja”.
“E ndërkohë sot, fatmirësisht kemi një situatë krejt tjetër. Edhe pse lufta me pandeminë vazhdon, procesi i vaksinimit masiv po na ndihmon të shkojmë drejt normalitetit në shumë fusha të jetës, përfshirë edhe arsimin, ku tashmë shumica e mësuesve, pedagogëve e studentëve në të gjithë vendin i janë bashkuar çdo ditë e më shumë kësaj fushate. Nëse dje, mbyllja e auditorëve ishte një emergjencë shëndetësore, sot hapja e tyre është po aq e rëndësishme dhe e domosdoshme”, shprehet ministrja.
Më tej, sqaroi se “testi periodik PCR mund të jetë një opsion i pranueshëm, por unë rekomandoj me shumë këmbëngulje vaksinimin si zgjidhjen më të mirë për të gjithë ne“.
Top Channel