Revista e njohur mjekësore the Lancet ka dalë në përfundimin se vaksinat janë mjaftueshëm efikase që të parandalojnë të sëmurit rëndë nga COVID-19 dhe thonë se aktualisht nuk ka nevojë që popullata e përgjithshme të marrë një dozë të tretë.
Studimi i fundit i publikuar prej saj vjen pasi disa shtete kanë filluar që të ofrojnë doza shtesë nga frika e variantit më ngjitës, Delta, që ka detyruar Organizatën Botërore të Shëndetësisë të bëjë thirrje për moratorium sa i përket dozave të treta, pas shqetësimeve për furnizimin me vaksina në vendet e varfra, ku miliona persona ende nuk kanë marrë dozën e parë të vaksinës.
Por, raporti i përpiluar nga shkencëtarët, ku përfshihen edhe ekspertë të OBSH-së, del në përfundimin se me kërcënimin e Deltës “dozat përforcuese në popullatë nuk janë të përshtatshme në këtë fazë të pandemisë”. Autorët e studimit, që kanë shqyrtuar studimet vëzhguese dhe provat klinike, mendojnë se vaksinat vazhdojnë të jenë shumë efektive ndaj simptomave të rënda të COVID-19, në të gjitha variantet kryesore të virusit, përfshirë edhe variantin Delta, edhe pse ato kishin sukses më të ulët në parandalimin e sëmundjes asimptomatike.
“Marrë në përgjithësi, studimet e tanishme nuk japin të dhëna të besueshme për rënien substanciale të mbrojtjes kundër sëmundjes së rëndë, që është qëllimi kryesor i vaksinimit”, tha autorja kryesore e studimit Ana-Maria Henao-Restrepo nga OBSH, sipas saj, dozat e vaksinës duhet të shihen me përparësi për njerëzit në mbarë botën që ende janë duke pritur që të vaksinohen.
Top Channel