Në ditën që Italia vendosi rekordin absolut të 36 ndeshjeve pa humbje, Roberto Mancini ka nisur të reflektojë për një sërë çështjesh shqetësuese, të cilat nuk po marrin përgjigjen e duhur në fushën e lojës.
Mbi të gjitha spikat ajo e sulmit, sepse është e vërtetë që Italia është rikthyer të ëndërrojë e të luajë një futboll të bukur argëtues, por vlen gjithashtu të theksohet se “të kaltrit” nuk fitojnë një ndeshje brenda 90 minutave që prej 2 korrikut ndaj Belgjikës në çerekfinalet e Europianit.
Më pas katër barazime radhazi, që nuk e penguan Italinë të ngrejë lart trofeun e kampionit të Europës, falë saktësisë te pika e penalltisë, megjithatë nuk është shmangur një rinisje me ritëm shumë të ulët e eliminatoreve të Kupës së Botës, Katar 2022. Mbi të gjitha, kampionëve të Europës u mungojnë golat, pasi kanë shënuar vetëm tre herë në katër ndeshjet e fundit dhe përveç Chiesës, që ka dërguar dy herë topin në rrjetë, pjesa tjetër kanë stonuar.
Sytë e kritikës drejtohen kryesisht nga Ciro Immobile, që te Lazio vijon të shkëlqejë e të shënojë rregullisht, por shndërrohet totalisht sapo heq bluzën bardhekaltër dhe vesh atë të përfaqësueses italiane. Sulmuesi nuk shënon që prej 16 qershorit, ndaj Zvicrës në fazën e grupeve të Europianit, ndërsa alternativa ndaj tij, Belotti po vuan dëmtime të shpeshta dhe të tjerë si Raspadori, Kean e Scamacca nuk janë ende gati të udhëheqin ekipin me golat e tyre.
Italisë i mungon një bomber race, që të zgjidhë ndeshjet dhe këtë Mancini e di mirë, ndaj këmbëngul që skuadra të bazohet te loja kolektive dhe dalja graduale në sulm, por pa një finalizator, gjithçka bëhet edhe më e komplikuar, sidomos kur vetëm një vit më vonë është Kampionati Botëror.
Madje edhe rruga për të arritur aty është e gjatë dhe e mundimshme, pasi tani gjithçka është në dorë të Zvicrës dhe të “kaltrit” mund ta shohin veten në Play Off për një biletë për Katar, një fazë ku kanë eksperiencë të hidhur nga 2018-a.
Top Channel