Kosovën e njohin vetëm për tregti/ 270 mln euro mallra në vit nga 5 shtetet që nuk njohën pavarësinë

05/09/2021 18:54

Pesë shtetet e BE-së që nuk e njohin Kosovën pushtojnë tregun kosovar me mallra në vlerë rreth 270 milionë euro në vit.

Sipas të dhënave zyrtare nga Dogana e Kosovës, Greqia eksporton mallra në drejtim të Kosovës brenda një viti rreth 150 milionë euro, e pasuar nga Spanja me 40 milionë euro, Rumania me 34 milionë, Sllovakia me 8 milionë dhe Qipro me rreth 1 milion.

Zëdhënësi i Doganës së Kosovës, Adriatik Stavileci thotë për KosovaPress, se vitin e kaluar Kosova në drejtim të këtyre shteteve ka pasur eksporte një shumë simbolike.

“Më së shumti nga këto vende kemi qarkullim tregtar me Greqinë, ku mund të themi që vitin e kaluar kemi pasur 138 milionë euro, derisa sivjet kemi një rënie në 131 milionë produkte nga Greqia. Derisa nga Spanja, Sllovakia, Rumania Qipro edhe nga ato vende kemi importe dhe eksporte, por mund të themi që janë më të ulëta. Me Spanjën kemi rreth 40 milionë euro brenda një viti qarkullim tregtarë, derisa me Rumaninë kemi 34 milionë euro, kurse Sllovakia rreth 8 milionë euro importe…Si në aspektin e eksporteve dhe importeve me këto vende kemi produkte industriale, duke filluar nga ngjyrat e ndryshme të cilat importohen nga Greqia, gjithashtu pllakat e qeramikave dhe gjësende të tjera të cilat janë produkte që ato shtete i kanë si më ekskluzive. Edhe me Spanjën janë kryesisht pllakat e qeramikave dhe porcelanit të cilat vijnë nga Spanja… Ndërsa, eksportojmë gjësende të ndryshme duke filluar nga mbetjet e metalit dhe pastaj disa produkte të tjera industriale”.

Drejtori ekzekutiv i Këshillit të Investitorëve Evropianë (KIE), Emrush Ujkani thotë se produktet e Spanjës janë kudo nëpër dyqanet e Kosovës ndërsa ky vend pengon edhe lëvizjen e lirë të shtetasve kosovarë.

“Vet fakti që Kosova ka marrëveshje për Stabilizim Asociim të nënshkruar me BE-në, e në të cilën janë edhe këto pesë vende që nuk e njohin Kosovën, mendoj se nuk e kemi shfrytëzuar shumë këtë element. E dyta, diplomacia ekonomike për mos me thënë i ka zënë vendin diplomacisë politike në shumë aspekte. Sot interesat e tilla ekonomike janë ato që bëjnë edhe vet politikën e një shteti…Me Spanjën, jemi dëshmitarë për produktet e tyre në tregun tonë. Secilin market ka prezencë të këtyre produkteve, ndërsa, Spanja vazhdon të ketë një qasje shumë rigoroze në raport me shtetësinë e Kosovës në disa raste duke përfshirë edhe lëvizjen e lirë të qytetarëve tonë vendit tonë me dokumente të udhëtimit. Prandaj, është detyrë e qeverive që të bëjnë pak më tepër”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA