Një aksident me pasojë vdekjen ka ndodhur në aksin rrugor Koplik-Hot, ku dy automjete tip “Audi” dhe “Benz” u përplasën mbrëmjen e kaluar rreth orës 21:50.
Shoferi 22-vjeçar, i identifikuar me inicialet K.C., banues në Bajzë, i cili drejtonte automjetin tip “Audi” nuk ia ka dalë t’i mbijetojë plagëve të marra dhe ka ndërruar jetë në spitalin e Traumës. Ndërkohë, drejtuesi i mjetit tip “Benz”, i identifikuar me inicialet F. D., 24 vjeç, banues në fshatin Rapshe, është shoqëruar në ambientet e Policisë, për veprime të mëtejshme.
Mbetet e paqartë se si ndodhi aksidenti i rëndë, ndërsa grupi hetimor vijon punën për sqarimin e rrethanave të aksidentit.
“Më datë 29.08.2021, rreth orës 21:50, në aksin rrugor Koplik-Hot, në vendin e quajtur “Kështjella e Dragoit”,Vukpalaj, Malësi e Madhe, mjeti tip “Benz” me drejtues shtetasin F. D., 24 vjeç, banues në fshatin Rapshe, Malësi e Madhe, është përplasur me mjetin tip “Audi”, me drejtues shtetasin K. C. 22 vjeç, banues në Bajze, Malësi e Madhe.
Si pasojë e përplasjes ka mbetur i dëmtuar drejtuesi i mjetit “Audi”, shtetasi K. C., i cili pas ndihmës së parë në spitalin e Shkodrës u dërgua për ndihmë më të specializuar në Spitalin e Traumës Tiranë, ku për shkak të plagëve të marra ka ndërruar jetë”, njoftoi policia.
Top Channel