SHBA: Asgjësuam militantë që kishin në shënjestër aeroportin e Kabulit

29/08/2021 22:53

Një goditje e ushtrisë amerikane me dron shkatërroi një makinë me “disa ekstremistë që do të kryenin sulme vetëvrasëse”, që kishin lidhje me degën e Shtetit Islamik në Afganistan dhe që mund të kishin si objektiv sulmesh operacionet e ushtrisë amerikane në aeroportin e Kabulit, njoftuan zyrtarët amerikanë.

Goditja u ndërmor dy ditë përpara se Shtetet e Bashkuara të përmbyllin tërheqjen e plotë nga Afganistani, një operacion që ka përfshirë evakuimin e dhjetëra mijëra shtetasve amerikanë dhe aleatëve të tyre afganë. Përmbyllja e tërheqjes, e planifikuar për 31 gusht, do të shënojë përfundimin e luftës më të gjatë të Amerikës, ndërsa në Afganistan kontrolli është në duart e talebanëve.

Departamenti amerikan i Shtetit nxori një deklaratë të nënshkruar nga rreth 100 vende, si dhe NATO-ja dhe Bashkimi Evropian, ku thuhej se “ishin siguruar” nga talebanët se personat e pajisur me dokumente udhëtimi do të lejohen të largohen nga Afganistani. Talebanët kanë thënë se do të lejojnë udhëtime normale pas tërheqjes së Shteteve të Bashkuara, kur të marrin nën kontroll aeroportin.

Thuajse në të njëjtën kohë me sulmin e dronit amerikan, policia afgane tha se një raketë goditi një lagje pranë aeroportit duke lënë të vdekur një fëmijë. Shefi i policisë së Kabulit e konfirmoi goditjen me raketë. Video e shpërndara nga agjencia e lajmeve Associated Press, tregojnë tymin që ngrihet pranë një ndërtese, rreth 1 kilometër nga aeroporti.

Talebanët i përshkruan këto sulme si incidente pa lidhje me njëri-tjetrin, por banorët në Kabul thanë se dëgjuan vetëm një shpërthim.

Dy zyrtarë ushtarakë amerikanë, të cilët folën në kushte anonimiteti pasi nuk ishin të autorizuar të diskutonin operacione ushtarake, e cilësuan sulmin me dron të suksesshëm, duke shtuar se kishte asgjësuar disa sulmues.

Sipas kapitenit të marinës ushtarake, Bill Urban, po analizohen pasojat, për të parë nëse kishte dëme në civilë, por ai shtoi se “nuk kemi dëshmi për momentin”.

Goditja u ndërmor dy ditë pasi një operativ i Shtetit Islamik kreu një sulm vetëvrasës pranë aeroportit duke lënë të vdekur 169 afganë dhe 13 ushtarë amerikanë. Të shtunën, SHBA ndërmorën një sulm që la të vrarë dy operativë të ISIS-it.

Presidenti Joe Biden është zotuar të vazhdojë sulmet ajrore, duke thënë të shtunën se një tjetër goditje është “shumë e mundshme”. Departamenti i Shtetit e cilësoi rrezikun “specifik” dhe “të besueshëm”./VOA/

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA