Prania e variantit “Delta” ka rritur ndjeshëm numrin e rasteve të reja dhe viktimave në të gjithë botën, por vendi më i prekur është Kosova.
Nga të dhënat e Universitetit Johns Hopkins rezulton se Kosova është vendi me vdekshmërinë më të lartë për 1 milion banorë, bazuar në shifrat e jetëve të humbura të kësaj jave. Nga data 20 deri më 26 gusht, në Kosovë kanë humbur jetën 85 persona si pasojë e koronavirusit.
Për shkak të shifrave, qeveria e Kosovës vendosi të rikthejë kufizimet e lëvizjes dhe të shtyje hapjen e shkollave. Mësimi do nisë më 13 shtator, ndërsa nga ora 22 deri në 5 të mëngjesit ka ore policore. Ndërsa, lokalet hoteliere, restorantet dhe kafeteritë do të punojnë deri në orën 21:30 dhe atë në ambientet e hapura. Të gjithë qytetarët që hyjnë në Kosovë në pikë- kalimet kufitare duhet të paraqesin dokumente përkatëse, siç janë dëshmia e vaksinimit, testi PCR i bërë në 72 orët e fundit, ose testi serologjik jo më i vjetër se 30 ditë.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se masat kundër pandemisë i ndërmarrin konform situatës epidemiologjike në vend. “Tani që situata u përkeqësua jemi të detyruar të marrim masa kufizuese që kanë për qëllim ndërprerjen sa më të shpejtë të rritjes së trendit të infektimit. Jemi të detyruar ta shtyjmë fillimin e vitit të ri shkollor”, tha kryeministri Kurti.
Top Channel