Gjatë ditëve të fundit, varianti i ri i Covid-19 ka shtuar ndjeshëm shifrën e rasteve të reja në Kosovë dhe jo vetëm. Ditën e sotme, një prej viktimave ishte një 20-vjeçare nga Gjakova, e infektuar me koronavirus.

E reja, Rumejsa Abdurrahim Hoxha ka qenë duke u trajtuar në Mjekimin Intensiv në QKUK, ndërsa ka ndërruar jetë sot si pasojë e COVID-19. Mediat kosovare bëjnë me dije se kjo është tragjedia e dytë në familje pasi para disa ditësh humbi babain si pasojë e kësaj sëmundjeje.

Një e afërme e viktimës ka bërë një postim në rrjete sociale ku shkruan: “Të All-llahut jemi dhe tek Ai do të kthehemi. Me pikëllim të thellë ju lajmërojmë se sot ka ndërruar jetë motra jone (vajza e axhes) Rumejsa Abdurrahim Hoxha. Vdekja është nje ndarje e perkohshme nga te dashurit, e bukura ma e mira jonë Rumejsa ti na le por ne do to të kujtojmë përherë si atë vajzen shembullore. Varrimi bëhet sot  në varrezat e qytetit të Gjakovës. All-llahu ia faltë Xhennetul Firdeës!”

Gjatë 24 orëve të fundit, IKSHPK ka njoftuar se 18 persona kanë humbur jetën nga Covid-19, ndërsa janë infektuar 1.891 të tjerë. Në total numri i rasteve aktive është 25.797.

Në 24 orët e fundit janë dhënë 15.967 doza të vaksinës kundër COVID-19. Prej fillimit të vaksinimit në të gjitha qytetet e Kosovës janë dhënë 794.812 doza të vaksinës. Deri më sot 267.979 qytetarë janë vaksinuar me dozën e dytë.

Top Channel