Elefanti i inatosur rrëzon skulpturën ‘realiste’ të mashkullit, pasi e ngatërroi me një rival dashurie

25/08/2021 19:13

Një luftë elefantësh ka ndodhur para qendrës së vizitorëve në Parkun Kombëtar Khao Yai në Tajlandë. Turistët panë elefantin mashkull që sulmoi një skulpturë gjigante në këtë park, pasi e ngatërroi me një konkurrent për dashurinë e femrës.

Elefanti shihej që i ngulte vështrimin punimit artistik para se ta rrëzonte duke e goditur në anë. Një nga dhëmbët e modelit dëgjohet që thyhet teksa godet tokën.

Duke besuar se doli fitimtar ndaj skulpturës, elefanti largohet me triumf. Zyrtari i parkut Ple Srichai tha se elefanti e ngatërroi skulpturën me një tjetër mashkull që mund të kërcënonte të drejtën e tij të çiftimit.

“M’u duk qesharake sesi elefanti i egër tentonte të sulmonte statujën. Elefantët meshkuj luftojnë për femrat prandaj nëse besonte se ishte një elefant i vërtetë ai duhet të tregonte dominimin e tij mbi të”, tha ai.

Disa nga spektatorët lëshuan klithma kur mashkulli rrëzoi statujën, e cila u largua më pas për riparime nga zyrtarët e parkut.

Asnjë nuk raportohet se u lëndua në incident dhe zyrtarët thanë se po e transferojnë skulpturën në një tjetër pjesë të parkut, për të evituar të ndodhin sulme të ngjashme.

Rreth 2.000 elefantë besohet se jetojnë në xhunglat e Tailandës dhe një numër i ngjashëm në parqe të mbyllura të vendit.

Top Channel