Biden i vë vulën: Pas 31 gushtit, asnjë këmbë ushtari amerikan në Afganistan!

25/08/2021 15:48

Pavarësisht sinjaleve për të kundërtën, dhe kritikave të ashpra, presidenti amerikan Joe Biden vendosi përfundimisht që tërheqja e Shteteve të Bashkuara nga Afganistani të mbyllet në 31 gusht.

Vendimi i kreut të Shtëpisë së Bardhë sfidoi apelet e liderëve aleatë që kërkonin t`i jepej më shumë kohë evakuimeve, ndërsa i dha hov nga ana tjetër zërave se Bideni, iu dorëzua paralajmërimeve të talebanëve për të respektuar afatin e për të mos shkelur ato që militantet i quajtën “vija të kuqe”.

Biden: Çdo ditë që jemi në këtë vend është një ditë tjetër kur e dimë se dega e ISIS-it në Afganistan përpiqet të mësyjë aeroportin dhe të na sulmojë ne dhe forcat aleate si dhe civilët e pafajshëm. Situata është e brishtë. Jemi në një rrezik serioz që të mos arrijmë ta ruajmë dot sigurinë në rrjedhën e ditëve.

Biden nuk përmendi përfundimin e fluturimeve për evakuime më parë se data e tërheqjes së plotë, megjithatë zëdhënësja e tij, Jen Psaki pohoi për gazetarët më herët se “do të duhet kohë për të mbyllur gradualisht praninë ushtarake”. Zëdhënësja nuk pranoi të ofrojë hollësi, por shtoi se trupat amerikane në Kabul ndeshen me kërcënime në rritje nga dega e ISIS-it.

Top Channel