Detaje tronditëse nga vrasja e 18-vjeçares/ Krivaqa dyshonte se Marigona e tradhëtonte me kushëririn, e dhunoi për vdekje, shoku e ndihmoi…

24/08/2021 13:19

Shkaqe të dobëta xhelozie po hetohen si pista kryesore që bëri Dardan Krivaqën vrasësin e partneres së tij.

Në njoftimin për shtyp Gjykata e Ferizaj njofton se po shqyrton “vrasjen në bashkëpunim për motive të dobëta”.

Krivaqa mendonte se 18-vjeçarja e tradhtonte me djalin e dajës së tij. Për pasojë, mbrëmjen e 22 gushtit, ai ka ushtruar dhunë psikologjike ndaj vajzës e më pas e ka goditur fizikisht. Dhuna ka vazhduar gjatë 23 gushtit, kur në ndihmë të aktit makabër, Krivaqës i ka ardhur shoku i tij, Arbër Sejdiu. Dyshohet se pasi e ndjera ka ndërruar jetë, të dy e kanë marrë trupin e saj dhe e kanë lënë para spitalit të Ferizajt.

Ndaj Dardan Krivaqës u morr masa e sigurisë, paraburgim për një muaj, ndërkohë që Prokuroria vijon hetimin për zbardhjen e plotë të ngjarjes.

“Pas mbajtjes së seancës dëgjimore dhe analizimit të shkresave të lëndës, gjyqtari i procedurës paraprake i Departamentit për Krime të Rënda – Ibrahim Idrizi, ka vërtetuar faktin se ekziston dyshimi i bazuar mirë, sei pandehuri më 22 gusht 2021, në Ferizaj, në banesën e të pandehurit D.K., me dashje, në mënyrë mizore për motive të ulëta-xhelozie, për shkak se i pandehuri D dyshonte se e ndjera M.O. e kishte tradhtuar me djalin e dajës së të pandehurit D., për këtë arsye i pandehuri D, një natë përpara, ka ushtruar fillimisht dhunën psikike, e pastaj edhe dhunën fizike, e cila ka vazhduar edhe ditën kritike, derisa e ndjera ka ndërruar jetë, ndërsa i pandehuri A.S., gjatë gjithë kohës ka qenë i pranishëm, në vendin e ngjarjes, e i cili edhe ka marr pjesë në ushtrimin e dhunës fizike dhe psikike, me këtë ka kontribuar në mënyrë të drejtpërdrejtë në kryerjen e veprës penale, gjegjësisht vdekjen e të ndjerës, dhe më pas të njëjtën e dërgojnë dhe e lënë në spitalin e përgjithshëm në Ferizaj, pa shenja jete, ndërsa dy të pandehurit ikin në drejtim të panjohur.
Gjyqtari i procedurës paraprake, kërkesën e prokurorit të shtetit për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit e ka aprovuar si të bazuar konform dispozitave të KPPRK-së, dhe të njëjtit i është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një (1) muaj“.

Krivaqa është person i njohur për policinë e prokurorinë në Ferizaj, pasi rezulton i përfshirë në vepra të ndryshme penale, si “Vjedhje e rëndë”, “Lëndim i lehtë trupor”, “Lëndim i rëndë trupor” dhe “Kanosje”.

Ngjarja e rëndë nxiti zemërim te qytetarët, të cilët nuk nguruan të vizitojnë profilin e Dardan Krivaqa në Facebook, duke vërshuar ofendime e mallkime ndaj tij. Ndërsa sot, aktivistë e njerëz të thjeshtë protestuan  para institucioneve të policisë në Kosovë. Ata kërkuan drejtësi për Marigonën dhe për çdo vajzë të dhunuar fizikisht apo seksualisht në vend.

“Boll më! Asnjë më shumë! Prokuroria i ka duart me gjak! Drejtësi për Marigonën”, ishin thirrjet e protestuesve.

Nëpërmjet një postimi në “Facebook”, presidentja e vendit, Vjosa Osmani, theksoi se drejtësia e dënimi për ata që po i kryejnë këto krime makabre ndaj grave e vajzave të Kosovës mund të ndryshojë situatën e trishtë të pabarazisë me të cilën përballemi sot në Kosovë.

“Drejtësinë ua kemi borxh secilës vajze e gruaje që përjetoi dhunën nga ata që po marrin jetë e po i ikin përgjegjësisë”, shkruan Osmani.

 

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA