Një person u ekzekutua mbrëmjen e së hënës në Lushnjë ndërsa 5 të tjerë mbeten të plagosur. Ngjarja ndodhi në një lokal në pedonalen e qytetit. I vdekur mbeti Bledar Muça, 34-vjeç, administratori i lokalit. Mësohet se autorët kanë qëlluar nga dritarja e makinës në drejtim të Muçës, i cili ka qenë i ulur në tavolinë, në ambientet e brendshme të lokalit, nën shoqërinë e disa personave të tjerë.
Muça u transportua menjëherë drejt spitalit, por rrugës nuk ka mundur t’i mbijetojë plagëve të marra nga ky atentat që tronditi Lushnjën. Po ashtu u plagosën edhe 5 persona që ishin në shoqërinë e viktimës, Judin Velo, Ervis Tafa, Sara Liçi, Eksara Sauli, Majlinda Gjyla që u dërguan në spital dhe ndodhen nën kujdesin e mjekëve jashtë rrezikut për jetën.
Ndërkohë lokali ka qenë plot me klientë që u terrorizuan nga breshëria e plumbave. Policia mbërriti menjëherë në vendngjarje dhe po heton për zbardhjen e plotë të rrethanave të këtij ekzekutimi.
Në një njoftim të dytë policia bën me dije se në fshatin Thanasaj, Lushnjë, është gjetur i djegur një automjet i cili dyshohet se është i autorëve.
Viktima Bledar Muça më herët kishte qenë administrator i tregut të fruta perimeve në Lushnjë dhe me pas administrator lokalesh dhe lotosh.
Top Channel