Shpyllëzimi në Amazonë redukton reshjet e shiut

22/08/2021 02:19

Shpyllëzimi i Amazonës duket se i redukton shirat më shumë nga sa pritej. Hipoteza është propozuar nga një studim ndërkombëtar i bërë nga Instituti i Shkencave Atmosferike dhe Klimatike të Këshillit Kombëtar të Kërkimit të Torinos (Cnr-Isac), i botuar në revistën ”Global Change Biology”.

Pyjet e shiut të Amazonës nuk janë vetëm një nga mushkëritë më të mëdha të planetit, por edhe një vend veçanërisht me shira, një mikrolklime që prodhohet nga avujt e ujit të lëshuara nga bimët gjatë fotosintezës.

Shpyllëzimi intensiv dhe i pandërprerë po e ndryshon këtë mekanizëm dhe kërkimi italian, i kryer në bashkëpunim me Universitetin e Utrecht, Holandë, tregon se ky ndryshim i mikroklimës amazoniane mund të jetë më i madh nga sa mendohet. “Ndryshimet e vogla në lagështinë e ajrit, për shkak të pranisë ose mungesës së pemëve, mund të çojnë në ndryshime të mëdha në reshjet e vëzhguara të shiut”, shpjegoi Mara Baudena, kreu i studimit.

Edhe një shpyllëzim relativ mund të ketë efekte më dramatike, sesa pritej, përsa i përket shirave, pyjeve dhe zonave fqinje, vende kultivimi dhe kullotash, që shpesh janë në origjinë të vetë shpyllëzimit.

Në rastin më ekstrem, sipas hulumtimit, shpyllëzimi mund të çojë në një reduktim të reshjeve vjetore me 55-70 për qind.

Top Channel