Aleancë “anti-SHBA”? Pekini i shtrin dorën talebanëve!

22/08/2021 18:03

Pekini “mban kontakte dhe komunikim me talibanët” dhe synon të “luajë një rol konstruktiv në paqen dhe rindërtimin e Afganistanit”, tha një zyrtar i qeverisë kineze i cili përcolli shpresën se militantët e grupit ekstremist  do të ndërtonin një strukturë politike e cila të kontribuonte në paqen e qëndrueshme në Afganistan.

Një pyetje e madhe është nëse Pekini do të vazhdojë të zgjerojë sferën e tij gjeopolitike të ndikimit duke ofruar ndihmë financiare, thotë DW. Kina tashmë ka krijuar lidhje të ngushta me Pakistanin, ndërsa kërkon qasje në Oqeanin Indian.

Afganistani mund të jetë një aleat tjetër strategjik i rëndësishëm në Azinë Qendrore. Kina është e lidhur me Afganistanin me një kufi malor prej 76 kilometrash. Ekspertët dyshojnë se Pekini mund të përpiqet të përfitojë nga vakumi i afërt në fushën e bashkëpunimit ndërkombëtar të zhvillimit në Afganistan.

“Njohja e shpejtë e qeverisë talibane ishte një hap guximtar nga Kina dhe shihet si një sfidë nga bashkësia ndërkombëtare,” thotë Hiromi Murakami, profesor i shkencave politike në Universitetin Temple në Tokio. Pekini ka fituar terren politikisht, ushtarakisht dhe përmes programeve të tij të ndihmës në Azi dhe Paqësor vitet e fundit. Ka të ngjarë që ai të përdorë të njëjtat taktika në Afganistan”, shton Murakami.

Japonia dhe Koreja e Jugut po monitorojnë nga afër se si po sillet qeveria kineze me pushtetarët e rinj në Kabul. Tokio dhe Seuli duan të pezullojnë bashkëpunimin e zhvillimit për momentin, ndërsa Pekini e njohu që të hënën regjimin e ri.

Top Channel