Talibanët premtojnë të lejojnë gratë të studiojnë “aq sa lejon feja islame” (fotot)

17/08/2021 18:12

Militantët talibanë të ardhur së fundmi në pushtet të plotë në Afganistan, kanë insistuar se do të garantojnë të drejtat e grave në vend, duke qartësuar se kjo do të bëhet “brenda kufizimeve të fesë islame”.

Zhvillimi vjen teksa në vend ende mbretëron kaosi dhe tentativat e dëshpëruara të qytetarëve për t’u larguar me evakuimet e ambasadave të huaja.

Në fushatën e tyre të informimin që luftëtarët po kryejnë duke trokitur derë më derë, ata raportohet gjithashtu se kanë bërë me shenja dyert e shtëpive ku banojnë gra aktiviste apo gazetare.

Ndërkohë femrat gazetare në vend janë të frikësuara pas largimit të lexueseve të lajmeve nga televizionet, teksa deri tani edicionet informative janë lexuar nga vetë militantët.

Në konferencën e sotme të shtypit, zëdhënësi taliban Zabihullah Mujahid tha se “do të njihen të drejtat e grave, të dhëna nga feja islame”.

Ai shtoi: “Ne do të lejojmë gratë të punojnë e të studiojnë, sigurisht brenda kuadrit të caktuar. Gratë do të jenë shumë aktive në shoqëri, por brenda kuadrit të fesë islame. Ato mund të studiojnë, të punojnë në shkolla apo në spitale. Ne ju sigurojmë se nuk do të ketë hakmarrje ndaj grave dhe çdo veprim do të kryhet sipas ligjeve islamike”.

Kur u pyet nëse gratë të lejohen të vazhdojnë të punojnë në media, zëdhënësi u përgjigj: “Le të presim se ç’do të thotë për këtë qeveria e ardhshme. Ligjet tona në lidhje me median dhe sektorë të tjerë, bëjnë që të gjithë të jenë të aftë të punojnë, por brenda kuadrit të ligjeve islamike sharia”.

“Aktualisht nuk mund të qartësojmë çdo detaj, pasi duhet të presim formimin e qeverisë dhe hartimin e ligjeve”.

Grupi militant ka shpallur dje një “amnesti” në të gjithë Afganistanin dhe nxiti gratë të bashkohen në qeverinë e tyre.

Ata u zotuan të mos mbajnë “inate” apo hakmarrje ndaj askujt, duke bërë të qartë sot se nuk dëshirojnë më luftë.

Zyrtarët thanë se janë të përkushtuar të ndërtojnë ekonominë e vendit dhe dëshirojnë një “media të lirë e të pavarur”.

Por Mujahid shtoi se media nuk duhet të përfshihet në asnjë aktivitet që shkon kundër vlerave islamike.

FOTO GALERI
6/7
Zhvillimi vjen teksa në vend ende mbretëron kaosi dhe tentativat e dëshpëruara të qytetarëve për t’u larguar

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA