Një rreshter i Policisë së Kosovës është arrestuar, pasi ishte përfshirë në një zënkë që kishte ndodhur në mes disa familjeve në fshatin Miradi të Ulët në Fushë Kosovë.
“Inspektorati Policor i Kosovës respektivisht Departamenti i Hetimeve ka pranuar informacione nga Stacioni Policor i Fushë Kosovës, se në fshatin Miradie e Ulët ( Fushë Kosovë) në një rast zënke në mes disa familjeve ishte përfshirë edhe një Zyrtar Policor (R.B), me gradën Rreshter, me detyrë në Stacionin Policor Aeroporti. Incidenti ishte raportuar të ketë ndodhur me datën 11.08.2021, rreth orës 19:30. Pas disa veprimeve hetimore, në konsultim me prokurorin kompetent, hetuesit e IPK-së në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, kanë arrestuar tre persona njëri ndër ta edhe Zyrtarin Policor (R. B) që ishte i përfshirë në këtë incident”, thuhet në njoftimin e Inspektoratit Policor të Kosovës.
Tutje në komunikatë thuhet edhe se “Me vendim të Prokurorit të Prokurorisë Themelore në Prishtinë të dyshuarit janë dërguar në mbajtje për 48 orë, nën dyshimin se të njëjtit kanë kryer veprën penale “Lëndim i rëndë trupor” nga neni 186, dhe “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar i armëve” nga neni 366”.
Kallëzimi penal i përbashkët IPK-PK është dorëzuar në Prokurorinë Themelore në Prishtinë.
IPK ka rekomanduar që të dyshuarit, Zyrtarit Policor (R. B), ti shqiptohet masa administrative suspendim nga puna.
Top Channel