Ish kryeministri Sali Berisha ka treguar nëse kongresmeni Lee Zeldin ka marrë përgjigje nga sekretari Anthony Blinken për vendimin e shpalljes non grata. Berisha tha se nuk ka bërë lobim deri tani dhe nuk merr asnjë kompani për të anuluar vendimin.
Pyetje: Keni patur komunikime me miqtë dhe a ka marrë përgjigje kongresmeni Lee Zeldin nga Blinken?
Berisha: Strategjia ime nuk është asgjë tjetër veçse informim. E ka botuar një institute slloven dhe pastaj mediat shqiptare, është dokument që do të dërgohet për transparencë në të gjitha zyrat, postet që kam njohur ose i konsideroj të nevojshme t’i informoj. Këtë e bëj me shumë vendosmëri se kam pasur qindra mijëra lidhje si lider, si president, si kryeministër dhe këta njerëz kanë dëgjuar e lexuar, bëj sqarimet e mia. Do vazhdojë me intensitet të jashtëzakonshëm. Nuk e di për kongresmenin apo të tjerët, nuk kam lobim. Nuk marr kompani për të anuluar vendimin, e kam të vendosur këtë por marr për qëllime të tjera.
Kujtojmë se një ditë pasi e pyeti sekretarin amerikan te shtetit Antony Blinken lidhur me vendimin e tij për ta shpallur non grata ish kryeministrin Sali Berisha, kongresmeni republikan Lee Zeldin vendosi t`i drejtohej Departamentit Amerikan të Shtetit për informacione më të detajuara mbi këtë vendim.
“Sali Berisha ka pasur historikisht marrëdhënie të forta me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, e kjo ka bërë shumë persona ta vënë në pikëpyetje këtë vendim të papritur. Duke ndjekur mundësinë për diskutuar këto sanksione me sekretarin Blinken, kërkoj akses në të gjithë informacionin e DASH në bazën e të cilit u mbështet ky vendim kundër Berishës dhe familjes së tij. Gjithashtu, kërkoj një shpjegim të detajuar të procesit që ndoqi DASH për të përcaktuar këtë çështje”- thuhet ne letrën zyrtare të Zeldin.
Top Channel