Rikthehet virusi në Wuhan/ Në vatrën e koronavirusit do testohet popullsia pas rasteve të reja

03/08/2021 12:06

Autoritetet në qytetin kinez të Wuhan atje ku e ka origjinën koronavirusi do të fillojnë të testojnë të gjithë popullsinë pasi disa raste të reja u zbuluan atje.

Wuhan ka regjistruar shtatë raste në vend – infeksionet e para lokale në më shumë se një vit.

Qyteti me 11 milionë banorë u vu në qendër të vëmendjes pasi koronavirusi u zbulua për herë të parë atje në vitin 2019.

Kina aktualisht po përjeton një nga shpërthimet e saj më të mëdha në muaj, me 300 raste të zbuluara në 10 ditë.

Rreth 15 provinca në të gjithë vendin janë prekur, gjë që ka bërë që qeveria të marrë masa të testimit masiv dhe të shtojë kufizimet.

Autoritetet ia kanë atribuar përhapjen e virusit variantit shumë ngjitës Delta dhe sezonit turistik.

Përhapja e re ka arritur gjithashtu në kryeqytetin Pekin, që raporton disa raste pozitive per covid.

Top Channel