Profesor Përparim Kabo, në një lidhje të drejtpërdrejtë në emisionin “Top Talk”, me Denis Dyrnjanë, në Top Channel, ka bërë një sintezë të plotë të situatës politike në vend.
Në fjalën e tij, prof.Kabo nuk ka nguruar të godasë politikanët shqiptarë, ndërsa tha se zgjedhjet e 25 prillit u fituan nga ata që donin kryetarët dhe se ato që morën pjesë në garë ishin parti personale e jo politike.
Kabo: Nëse në këto parti politike autoriteti i kryetarit është i padiskutueshëm dhe institucionalisht është i mbrojtur që të mos rrëzohet nga ky post, nëse nuk respektohet mendimi ndryshe dhe në forume personat që mendojnë ndryshe dhe mendimet kritike sigmatiozohen jo si alternativë, por si armiq, spiunë dhe përjashtohen pastaj, këto janë parti me mentalitet totalitar dhe i ngjajnë mëmës së tyre partisë së punës.
Kryetari kufizon zgjedhjet bëhet kryeministër, ky kryeministër që drejton ekzekutivin kur nuk pranon mendimin ndryshe brenda forumeve të partisë së tij, si do ta pranojë bashkëjetesën në parlament, dialogun shumicë pakicë, mendësinë se kemi nevojë për bashkëqeverisje për programe dhe zhvillim afatgjatë. Këto janë parti të konsumuara.
U rregulluan gjërat që të fitonin në parlament ata që donin kryetarët, pra këto janë parti personale dhe jo politike. Duhet që në fushën politike duhen formacione të reja politike, se nuk ecet më para me këto parti politike. Parti të reja politike me mendësi politike, programin, lidershipin dhe njerëzit që do rekrutohen.
Sa i përket rolit të Presidentit të Republikës, Ilir Meta, profesor Kabo tha se ai tashmë nuk përfaqëson më një partner të rëndësishëm të marrëdhënieve të jashtme të vendit.
Kabo: Ai nuk përfaqëson më një autoritet i nivelit të lartë, një partner i rëndësishëm i marrëdhënieve të jashtme të Shqipërisë. A erdhi një autoritet i lartë i DASH në Shqipëri dhe nuk e takoi, a është i anatemuar nga politika amerikane qoftë në nivel ambasadori apo edhe më lartë? A është ai një person që gëzon respekt të opinionit publik? Dalja në rrugë në 2 mars ishte një aktivitet politik i përgatitur nga PD. Populli është tjetër nocion. Shtatori në pret me parti të vjetra, që do prodhojnë lajme të reja, zhvillime, goditje në nivelin e lartë. Kur SHBA nuk kursyen Berishën, këta të tjerët janë shkure të vogla.
I pyetur se si e sheh prezencën e madhe të SHBA përmes ambasadores amerikane në Shqipëri, nëse duket si nënshtrim dhe humbje e sovranizmit, profesor Kabo tha: Këta ose janë dritëshkurtër, ose të shitur. Si mund të ketë demokraci në një vend ku ka krim të organizuar, në një vend ku ka korrupsion, ku sistemi i drejtësisë është i kapur dhe ku pasuritë kombëtare bëhen rrush e kumbulla dhe ku politika bëhet palë me tregun dhe krimin e organizuar, këta duhen çuar në spital ose duhet të provohet se ku paguhen për të thënë këto gjëra.
Me kë e duan miqësinë këta? me Kinën komuniste, siç e kishin dikur, Rusinë ish-Bashkimi Sovjetik, me Turqinë e otomanizmit modern, apo e duan me SHBA dhe republikën federale Gjermane.
Me vjen ndërmendje ajo që thoshte Mehdi Frashëri, një nga fatkeqësitë më të mëdha të kombit tonë është se jemi komb unik dhe nuk ngjasojmë me asnjë në tjetër jashtë nesh dhe nuk kemi pasur një mik të madh. Tani që kemi mik të madh vendin më demokratik në botë, atë që e pritën në hyrje të viteve -90 duke u shtrirë barkas kur erdhi përfaqësuesi i tyre, po thonë tani që do na mbështesin në zhvillimin e biznesit, demokracisë, mbrojtjes, jo na lini të vjedhim të korruptuar, por jemi të pavarur”.
Për punën e SPAK, profesor Kabo tha se ka nevojë për mbështetje të gjerë publike, ndërsa ne si qyterarë shtoi ai, kemi nevojë të besojmë se SPAK do të godasë krimin e organizuar, korrupsionin dhe të gjitha ato vepra penale që i parashikon ligji. Vetëm kështu krijohet ajo që i ka munguar për 30 vite shqiptarëve, liria.
Kabo: Dyshimi është pjesë e arsyetimit njerëzor dhe francezët kanë një shprehje që dyshimi është më i fortë se fakti. Në këtë kuptim njerëzit tanë meqë janë zhgënjyer dyshimi është bërë një sindromë jo vetëm e të menduarit, por edhe të sjellurit. Unë pres që të ketë goditje të forta, atje ku duhet, por të mos harrojmë që çështja e pastrimit të Shqipërisë nuk është më çështje juridike dhe penale, që i takon SPAK, BKH dhe Gjykatës për krime më të larta. Jemi në kushte të reja, është firmosur një titull ekzekutiv nga Biden për pastrimin e BP nga krimi i organizuar, korrupsioni dhe forma të tjera të kriminalitetit që kanë dëmtuar demokracinë në këto vende dhe kanë dëmtuar interesat gjeostrategjike të SHBA-së në rajon. Nuk mund të besoj se veprimet e SPAK komandohen nga kryeministri i radhës, apo ambasadorja e SHBA në bashkëpunim, nuk ma nxë logjika këtë arsyetim.
Mos i mendojnë veprimet e ardhme të SPAK si çështja e kanaleve kulluese në Lushnje. Po ju bëj një metaforë do kalohet nga Gjiri i Derrave të ’61 te Gjiri i Lalëzit të 2021.
SPAK ka nevojë për mbështetje të gjerë publike, njerëzore, mediatike dhe jo për atatikime, ironizime. Njerëz janë ata nuk janë robotë që duhet të të japin drejtësinë dhe duhet të jenë shumë të kujdesshëm për atë që bëjnë. Ne kemi nevojë të besojmë që detyra e SPAK është të godasë ca e të shpëtojë ca të tjerë, por të godasë krimin e organizuar, korrupsionin dhe të gjitha ato vepra penale që i parashikon ligji për të krijuar një vetëdije qytetarë që beson tek barazia e qytetarit para ligjit. Vetëm kështu krijohet ajo që i ka munguar për 30 vite shqiptarëve, liria.
Top Channel