Papritmas, lulja nisi të lëvizte, a thua se frynte erë, majtas-djathtas, djathtas-majtas, me një rregullsi të harmonishme. Pastaj, si për çudi, mu zhduk nga sytë, sikur ta kishte përpirë nata, por nuk vonoi dhe u rishfaq në tërë freskinë e saj blu. Një dëshirë më lindi e më kaploi një si ethe përvëluese: të shndërrohesha në kërmill, t’i ngjitesha ngadalë, shumë ngadalë, ta përkëdhelja me brirthët e mi, ta njomja me lëngun tim thelbësor, t’i lëpija, pija, përpija vesën mbi petla; pastaj ndërrova mendim: më mirë të kthehesha në bletë të egër, të shkoja e t’i futesha mes petlave, t’i thithja nektarin, nektarin blu, për të prodhuar një mjaltë qumështor të rrallë”.

Jehona ngacmimesh të çuditshme” është vëllimi i tretë me tregime erotike shkruar nga Edmond Tupja. 41 skicat e shkruara ndër vite përshkruajnë situata subtile erotike, të cilat përmes gjuhës, alegorisë, simboleve dhe metaforave e shtyjnë lexuesin drejt fantazisë, rizgjimit të dëshirës e pasionit dhe gjithashtu drejt eksplorimit të mënyrave të reja për ta kuptuar dashurinë dhe erosin.

Dy fjalë për autorin

Edmond Tupja është përkthyes dhe shkrimtar shqiptar, ka lindur në Tiranë në vitin 1947. Pasi kreu studimet në vendlindje, u diplomua për gjuhë e letërsi frënge në Universitetin e Sorbonës, Paris.

Fillimisht pedagog në Fakultetin e Historisë e të Filologjisë, pastaj mësues në qytetin e Gramshit, më vonë përkthyes në Tiranë.Sot drejton seksionin e përkthimit pranë Departamentit të Frëngjishtes në Fakultetin e Gjuhëve të Huaja të Universitetit të Tiranës. Autor tekstesh universitare, vëllimesh me poezi e prozë në shqip dhe frëngjisht, leksikograf, publicist e kritik përkthimesh, laureat çmimesh kombëtare e ndërkombëtare; ka shqipëruar vepra të shkrimtarëve francezë: Proust, Gracq, Tournier, Sartre, Giono, Mauroius, Pieyre de Mandiargues, Delerm, Plazy etj., si dhe ka përkthyer në frëngjisht autorë shqiptarë si F. Kongoli, I. Kadare, D. Çomo, D. Çuli, B. Shehu dhe S. Çapaliku.

Si shkrimtar, ai ka botuar disa tituj, shumë prej tyre me temë erotike. Përmendim këtu: “69 variacione për një temë erotike”, “Tingujt e trupit tënd” dhe “Fjalori erotik”. Ai është gjithashtu autor i veprave autobiografike “Mos ik, o ma” dhe “Kur dhimbja premton dashuri”.

Të dhëna për librin:
Autori: Edmond Tupja
Shtëpia botuese: Pegi
Viti i publikimit: 2021
Numri i Faqeve: 129

Top Channel