Një “meteor jashtëzakonisht i madh” ndriçoi qiellin e rajoneve jugore të Norvegjisë, duke ofruar një spektakël zëri e ngjyrash, dhe një pjesë e tij mund të ketë goditur tokën, jo shumë larg kryeqytetit Oslo, thotë Reuters.

Për momentin, nuk ka raporte për të lënduar apo dëme material. Pohimet e personave që u kthyen në dëshmitarë të fenomenit nisën të mbërrinin nga ora 1 e mëngjesit. Aq shumë u ndriçua qielli, sa nata u bë ditë, thonë ata, ndërsa disa kanë nxituar ta regjistrojnë momentin e rrallë.

Rrjeti Norvegjez Meteor po analizonte pamjet filmike dhe të dhëna të tjera në përpjekje për të përcaktuar origjinën e trupit qiellor. Informacionet paraprake sugjerojnë se një pjesë e tij mund të ketë goditur tokën në një zonë të madhe pyjore, të quajtur Finnemarka, 60 km larg Oslos. “Kjo ishte një çmenduri” tha drejtuesi i këtij rrjeti, Morten Bilet.

Meteori lëvizte me një shpejtësi rreth pesë deri në gjashtë sekonda, sqaroi ai. Disa dëshmitarë rrëfyen gjithashtu se ndjenë një shkulm të fortë ere në momentin e kalimit të meteorit, që u shoqërua me trysni të madhe në ajër.

Në 2013-tën, meteori që ra pranë qytetit rus Chelyabinsk, bëri që disa topa të zjarrtë të binin mbi një zonë të gjerë duke bërë që një valë e fortë të përplasej atje e të thyente xhamat e dritareve, ndërsa dëmtoi banesat e plagosi 1.200 persona.

Top Channel