Drejt peshkut të madh? Ambasadorja Kim: Unë nuk jam peshkatare! Atë që thonë se Reforma në drejtësi është asgjë, gënjejnë!

25/07/2021 13:17

Ambasadorja amerikane Yuri Kim, u bë pjesë e MIK Festival në Pustec,  nga ku iu përgjigj interesit të gazetarëve për ecurinë e reformës në drejtësi.

“Unë mendoj që reforma në drejtësi po çohet përpara, ngadalë, me ngadalë se çfarë do të donim por është padyshim një shtysë përpara, njerëzit duhet të vazhdojnë të jenë të pakënaqur, duhet të jenë më tepër kërkues me qeveritaret e tyre. Tani është koha që të vazhdojmë përpara. Mos u dorëzoni. Disa njerëz thonë që reforma në drejtësi nuk është asgjë, duhet të dorëzohemi, por jo, po ju gënjejnë, mos hiqni dorë”, tha Kim.

Ndryshe nga Donald Lu që përmendte peshqit e mëdhenj për të ilustruar korrupsionin në nivele të larta, Yuri Kim duket se nuk ka ndërmend ta amplifikojë  etiketimin e  paraardhësit te saj.

“Unë jam diplomate. Unë nuk jam një prokurore, nuk jam një peshkatare, nuk jam gjyqtare, unë jam thjesht një diplomate. Institucionet kanë përgjegjësinë e tyre, ata e dinë se cilat janë përgjegjësitë e tyre, unë mendoj që ata po nisin ti përmbushin ato. Le të mbështesim ata”, tha ajo.

Yuri Kim mendon se krahas reformës në drejtësi duhet folur edhe për bukuritë e Shqipërisë. “Shpirti i shqiptarëve që me jep shpresë” deklaroi shefja diplomacisë amerikane në Tiranës.

Top Channel