Funerali i presidentit të vrarë të Haitit, Jovenel Moise u njollos sot nga të shtëna armësh teksa grupe protestuesish brohorisnin “Drejtësi! Drejtësi!” për atentatin e dy javëve më parë.
Delegacioni i SHBA dhe ai i OKB u larguan për të gjetur strehim teksa armët shpërthyen nga rreth shtëpisë së presidentit, teksa skenat e kaosit që kanë tronditur ishullin e Karaibeve dy javët e fundit, u shpalosën dhe në ceremoninë e sotme.
E veja e tij Martine erdhi në funeral mes thirrjeve “Drejtësi! Drejtësi!”, me njërin krah të lidhur nga plagosja në atentat, ndersa me tjetrin preku arkivolin dhe u përlot bashkë me fëmijët.
Disa minuta më vonë një grup mbështetësish me një portret të madh të Moïse parakaluan me të, teksa banda muzikore e policisë luante himnin kombëtar.
Më herët, kreu i policisë vendase León Charles u prit në funeral me brohorimat “Vrasës! Vrasës!”.
“Nuk more asnjë masë për të shpëtuar Jovenel! Ti kontribuove në vrasjen e tij!”, thërriste një grua ndaj shefit të policisë.
Moise u vra në shtëpinë e tij në kryeqytetin Port-au-Prince mëngjesin e 7 korrikut, duke nisur një tjetër krizë në vendin e goditur nga varfëria, kaosi ligjor dhe mungesa e stabilitetit.
Protesta të shumta shpërthyen pas vrasjes nga mbështetës të Moise, në të cilat u dogjën goma makinash dhe demonstruesit u përleshën me policinë.
Top Channel