E lidhur gjithmonë me Shqipërinë dhe vendin e saj të origjinës Dua Lipa vjen për një projekt bamirësie.
Jo vetëm për të financuar një kopsht pas dëmtimeve të tërmetit, por ajo zbulon edhe të ardhmen e projekteve të ‘Sunny Hill Foundation’. Po ashtu dhe si do të jetë e ardhmja e saj artistike, pse jo së shpejti edhe me një koncert në Tiranë.
Kur do ta bëjë Dua Lipa koncertin në Tiranë?
“Surprizë. Jemi duke e diskutuar. Po këqyrim. Kisha pasur shumë dëshirë të madhe të vij të bëj një koncert për albumin tim të dytë, por ta këqyrim”.
Artisja me famë ndërkombëtare nuk ka ende një plan për të bërë një videoklip në Shqipëri, por e pyetur nëse mund të bëjë një këngë në gjuhën shqipe përgjigjja është kjo.
“Ka shumë këngë në gjuhën shqipe që i dua shumë. Kisha pas dëshirë në një moment të bëj një cover që ta dëgjojnë shumë njerëz. Nuk e di a jam mjaft e aftë të shkruaj këngë shqip, por definitivisht është diçka që e kisha pas dëshirë ta provoj”.
Asnjëherë nuk e ka fshehur që është shqiptare, madje ka bërë të njohur emrin e kombit tonë me një qëllim të vetin.
E kam shumë ëndërr që nëpër krejt botën të ndryshoj pak stigmën që është përreth Kosovës, Shqipërisë dhe ne si shqiptarë.
Të gjithëve ju bën përshtypja pozitiviteti dhe thjeshtësia që ylli i botës muzikore transmeton. Edhe për këtë e ka një koment.
“Gjëja që më lumturon më së shumti është të bëj muzikë, por kush jam unë në shtëpi? Jam veç Dua”.
Por a do të ndalet këtu ndihma e fonacionit Sunny Hill ?
“Kemi shumë ide, ëndrra dhe jemi të motivuar të ndihmojmë me çfarëdolloj mënyre. Kjo nuk është gjëja e pare dhe as e fundit që duam të bëjmë”.
Top Channel