Harvey Weinstein ekstradohet në Kaliforni për t’u përballur me gjyqin e dytë për përdhunim

21/07/2021 06:58

Ish-producenti i Hollivudit Harvey Weinstein u ekstradua nga Nju Jorku në Kaliforni të martën për t’u përballur me gjykimin për akuzat për përdhunim dhe sulm seksual, tha zëdhënësi i tij dhe Departamenti i Burgjeve i Nju Jorkut.

Weinstein u shpall fajtor në Nju Jork në shkurt 2020 për sulm seksual dhe përdhunim dhe u dënua me 23 vjet burg. Në Los Anxheles, ai përballet me gjykim nën akuzat për sulme seksuale ndaj pesë grave në periudhën 2004-2013. Akuzat në Los Anxheles përfshijnë përdhunimin me force dhe akte të detyruara seksuale dhe përdorim force për kryerjen e tyre. Nëse dënohet, Weinstein mund ta kalojë gjithë jetën në burg.

“Sot në orën 9:25 Harvey Weinstein iu dorëzua zyrtarëve të duhur për transportim në shtetin e Kalifornisë me një urdhër gjykate,” tha Departamenti i Burgjeve i Nju Jorkut. 69 vjeçari Weinstein, po e apelon dënimin në Nju Jork dhe ka mohuar të ketë pasur marrëdhënie seksuale jokonsensuale. Ai e kishte kontestuar ekstradimin në Kaliforni për arsye mjekësore, duke përmendur diabetin dhe problemet e zemrës, shpinës dhe shikimit.

“Ne do të luftojmë që Harvey të marrë kujdesin e nevojshëm mjekësor dhe natyrisht që ai të trajtohet në mënyrë të drejtë. Procesi i duhur, konsiderimi i tij i pafajshëm derisa të provohet fajtor dhe një gjykim i drejtë janë të gjitha të drejta të tij,” tha zëdhënësi i tij Juda Engelmayer në një deklaratë të martën.

Zyra e Prokurorit të Distriktit të Los Anxhelosit tha të martën se nuk kishte ndonjë informacion për të dhënë për momentin. Weinstein ishte një nga producentët më të fuqishëm të filmit dhe televizionit në Hollivud përpara se akuzat e më shumë se 80 grave për sjellje të papërshtatshme seksuale në vitin 2017 të sillnin si rezultat akuzat penale ndaj tij dhe t’i hapnin rrugën lëvizjes më të gjerë #MeToo.

Ai është bashkëthemelues i studios kinematografike Miramax, që ka nxjerrë filmat të njohur si “Shekspiri i Dashuruar” dhe “Pulp Fiction”. Studioja e tij e famshme kinematografike bëri kërkesë për falimentim në mars 2018./VOA

Top Channel