Erdogan provokon nga Qipro/ Zotohet të hapë Varoshian, sot një qytet fantazmë. Reagon Greqia, SHBA e BE

21/07/2021 00:59

Pasi ka vendosur një kurorë me lule në monumentin e Ataturkut dhe ka ndjekur një parade ushtarake gjatë një vizitë 2 ditore në Qipron e Veriut, shtet që njihet vetëm nga Ankaraja, presidenti turk Rexhep Tayyp Erdogan ka deklaruar se do të hapë 3.5% të Famagusta-s, një zonë të mbyllur për 46 vjet, ku çdo zgjidhje pas pushtimit turk në vitin 1974, ishte e ndaluar sipas rezolutës së Këshillit të Sigurimit të OKB-së.

Gjithashtu ka përsëritur se zgjidhje e vetme për çështjen qipriote është një ishull me dy shtete sovrane të cilën edhe komuniteti ndërkombëtar duhet ta pranojë, ndërsa e ka quajtur kryeministrin grek armik të vendit të tij.

‘Thuhet se nuk ka një zgjidhje me dy shtete. Kjo do të thotë të injorosh sovranitetin, barazinë, pavarësinë dhe arritjet e turkoqiprioteve. Askush nuk duhet të presë nga qipriotët turq të heqin dorë nga statusi dhe sovraniteti i tyre i barabartë dhe të pranojnë të jetojnë si një pakicë sipas vullnetit të qipriotëve grekë’- tha Erdogan.

Deklararatat e tij janë quajtur provokim i ri nga Athina dhe Nikosia. Kryeministri Mitsotakis ka ftuar presidentin turk të heqë dorë nga kërcënimet dhe ministria greke e Jashtme ka dënuar njoftimin aktual duke e quajtur një shkelje të pastër të vendimeve të Këshillit të Sigurimit të KB , si dhe e Konkluzioneve të Këshillit Evropian.

Ndërsa zv/sekretarja e Shtetit për Çështjet Evropiane në Uashington i ka quajtur destabilizuese veprimet e Erdoganit, Josep Borrell Përfaqësuesi i Lartë i BE-së ka theksuar se qeveria turke është përgjegjëse për situatën në Varoshia dhe se BE do të monitorojë nga afër konsultimin e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara mbi Qipron dhe do të vendosë për hapat e ardhshme.

Dikur një xhevahir në bregdetin lindor të Qipros në zonën Amohosto, Varosha sot është një qytet fantazmë. Në vijën kufitare që ndan ishullin që në vitin 1974, pasi u pushtua pjesa veriore e Qipros nga forcat turke dhe 39.000 banorët saj e braktisën për t’i shpëtuar luftës, duke u bërë refugjatë në tokën e tyre.

Pavarësisht rezolutës 550 të Këshillit të Sigurimit, të vitit 1984 që ia besoi administrimin e këtij qyteti Kombeve të Bashkuara, ajo prej atëherë mbeti nën pushtimin e forcave ushtarake turke të cilat e kanë mbajtur të mbyllur, si një peng për zgjidhjen e çështjes qipriote sipas vullnetit të Ankarasë.

Top Channel