Deklarata e Erdogan për Kosovën: Vuçiçit i “dridhen këmbët”, Turqia, një superfuqi

21/07/2021 18:07

Deklarata e presidentit turke Rexhep Tajip Erdogan se do të lobojë për Kosovën në mënyrë që ajo të ketë njohje të reja, e ka shqetësuar thellësisht kreun e shtetit serb, Aleksandar Vuçiç.

Turqia është superfuqi, Erdogani është lider i madh, unë jam i vogël dhe i papërfillshëm, por Serbia nuk është aq e vogël sa të mos përpiqet që ta kundërshtojë këtë çështje. Unë do të përpiqem të flas me të. Deri në 1 shtator e kemi për detyrim që të përmbahemi nga lobimi, por nuk e di ç’mund të ndodhë nëse ata fillojnë para kësaj periudhe”, ka deklaruar Vuçiç gjatë një vizite në Manastirin Mansija, në perëndim të Serbisë.

Beogradi, sipas Marrëveshjes së vulosur në Uashington 4 shtatorin e 2020-tës, ka detyrimin të ndalojë fushatën për tërheqjen e njohjeve të Kosovës, ndërsa Prishtinës i duhet që të mos aplikojë për anëtarësim në organizata ndërkombëtare për një vit. Erdogan tha më herët se për çështjen e njohjes ndërkombëtare të Kosovës do ta diskutoje me presidentin amerikan, Joe Biden, gjatë Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara këtë vjeshtë.

Ai ka në plan te propozojë mundësinë e bashkëpunimit mbi këtë çështje, për të rritur numrin e vendeve që e njohin Kosovën, e cila e shpalli pavarësinë në 2008-tën.

Top Channel