Ndihma për zonat e goditura/ Përmbytjet në Gjermani, Merkel tha se qeveria po përgatit paketën për rajon e prekura

20/07/2021 20:37

Kancelarja Angela Merkel ka zbritur vetë në terren për të parë nga afër situatën në të cilën ndodhen rajonet e prekura nga përmbytjet shkatërrimtare.

Ajo ishte në landin Nordrhein-Westfalen (NRW), por dhe zona të tjera bashkë me Armin Laschet, kryeministri i landit dhe pasardhësi i mundshëm i saj.

Kancelarja Merkel bisedoi gjatë vizitës së saj me përfaqësues të organizatave të ndihmës, me vullnetarë si dhe me banorë të zonës. Ajo vizitoi edhe një depo ushqimesh që shpërndan furnizime për të prekurit.
Qeveria njoftoi se po përgatit një paketë të madhe ndihme financiare për rajonin e prekur.

Ndërkohë zyrtarët e lartë gjermanë i hodhën poshtë kritikat se ata nuk kishin bërë sa duhet që të paralajmëronin banorët në zonat e goditura rëndë.

Numri i viktimave nga përmbytjet e fundit në Evropë ka arritur në 195.Në zonat e katastrofës vijon kërkimi i personave të tjerë të zhdukur , të cilët raportohet të jenë me qindra.

Top Channel