Lideri turko-qipriot: Rruga përpara është zgjidhja me dy shtete, nuk komandohem nga Erdogan

20/07/2021 17:36

Lideri nacionalist i Qipros së Veriut Ersin Tatar është mjaft entuziast, megjithë embargot dhe politikat kufizuese ndaj republikës së tij.

U bënë nëntë muaj që Tatar ka marrë presidencën e republikës së vetëshpallur turke të veriut të Qipros.

Së fundmi ai foli në një intervistë me të përditshmen britanike “TheGuardian”, para vizitës së pritur të presidentit turk Rexhep Tajip Erdogan, në kujtim të pushtimit të vitit 1974, të cilin ai quan “operacion paqeje”.

Tatar, lideri 60 vjecar i arsimuar në universitetin e Cambridge, i atribuon entuziazmin e publikut ndihmës që Ankaraja i ka dhënë republikës turke në veri të Qipros, teksa Erdogan ka mbështetur dhe propozimin e tij të zgjidhjes me dy shtete, pas disa vite negocjatash të dështuara paqeje, siç ishin ato për kthimin e ishullit mesdhetar në një federatë bi-zonale, bi-komunale.

“Njerëzit mendojnë se ai më udhëzon të ndjek politikat e tij. Kjo nuk është e vërtetë. Jam unë ai që binda Erdogan se pas ezaurimit të mundësive të federates bi-zonale, ne duhet të shkojmë për zgjidhjen me dy shtete,” thotë ai duke mos i dhënë rëndësi përgjigjes së BE, e cila ka refuzuar të diskutojë për zgjidhje të kësaj natyre.

“Ai më ka mbështetur pasi këtë dëshiron opinioni publik në Turqi. Për 85 milionë turkë, Qipro është një çështje kombëtare shumë e ndjeshme. Unë gjithmonë kam thënë se zgjidhja e vetme realiste është ajo me dy shtete”.

Qipriotët turkë thonë se nuk i detyrohen atdheut të tyre për ndërhyrjen ushtarake që mbrojti minoritetin në 1974 – pas grushtit të shtetit të sponsorizuar nga Athina që kërkonte ta bashkonte ishullin me Greqinë.

“Ne sigurisht kemi njerëz si Mustafa Akinci [pararendësi i tij i moderuar] dhe të tjerë që mendonte ndryshe, por ata nuk janë në pushtet,” tha Tatar. “Në pushtet jam unë … jam president i qipriotëve turkë, kudo që ndodhen”.

Pushtimi i vitit 1974 bëri që trupat turke të merrnin 37% të Qipros, ku asokohe jetonte 18% e popullatës së tij. Prej atëhere komunitetet janë detyruar të ndahen në dy anët e linjës së armëpushimit të prrulluar nga OKB, që simbolizon nga ana tjetër dhe paaftësinë e mediatorëve për të zgjidhur konfliktin e gjatë diplomatik. Në kulmin e konfliktit, rreth 250,000 grekë u zhvendosën nga shtëpitë e tyre, drejt asaj që është tashmë jugu i ishullit, i njohur nga ndërkombëtarët.

Në 2004 qipriotët turkë votuan për një ribashkim të ndërmjetësuar nga OKB, që ishte tentativa më e afërt drejt një zgjidhjeje, por edhe kjo pa sukses.

“Nëse u pëlqen apo jo grekëve qipriotë, turkët qipriotë janë bashkë pronarë e bashkë-themelues të republikës së Qipros në 1960. Shumë herë në të kaluarën këtu ka pasur më shumë turq sesa grekë. Shumë ujë ka kaluar tashmë poshtë urës, kështu që ata duhet të zgjohen ndaj realitetit të ri të Qipros, në mënyrë që të bëjmë paqe. Ne jemi gjithsesi dy shtete”, përfundon Tatar.

FOTO GALERI
2/5
Veriu se shpejti hap rezortin e Varosha ne ish-qytetin greko-qipriot

Top Channel