“Ia mblodhi SHBA?” Kina gati të pranojë se koronavirusi doli nga laboratori!

20/07/2021 12:28

Mediat italiane duken të bindura: koronavirusi doli nga laboratori i Wuhanit dhe SHBA-ja e Kina kanë gjetur kompromisin mbi një të ashtuquajtur “strategji daljeje” nga ngërçi që rrethon origjinën e sëmundjes.

TgCom24 thotë se është arritur në parim një marrëveshje ndërmjet dy superfuqive botërore, sipas të cilës Pekini do të pranojë gabimin e do të pohojë se Sars Cov 2 doli aksidentalisht nga laboratori ku po studiohej, ndërsa shkencëtarët që u përpoqën të mbulonin fajin e tyre duke devijuar të vërtetën, do të ndëshkohen.

Kaq është e përgatitur të pohojë Kina. Shtetet e Bashkuara, nga ana tjetër janë të gatshme, sipas të njëjtës media, që t`i pranojnë deklaratat kineze, sipas të cilave, zyrtarët e lartë vendas vetëm tani vonë e kanë mësuar edhe vetë se çfarë ka ndodhur vërtet në Wuhan.

Fakti që kërkuesit atje janë përpjekur ta mbulojnë episodin e rëndë, ka bërë sipas versionit të Pekinit, që liderët e vendit të mos informojnë botën në kohë për rrezikun e rëndë. Marrëveshja thuhet të jetë shumë pranë finalizimit, dhe Washingtoni është shprehur i gatshëm të ndihmojë në zhvillimin e një hetimi edhe mbi disa shkencëtare amerikane, thekson TGCom24, të cilët duket se kanë qenë të përfshirë në studimin e virusit në Wuhan.

Top Channel