Projekti Pegasus, skandali i përgjimeve: Spiunohen gazetarë e aktivistë!

19/07/2021 18:36

Aktivistë të të drejtave të njeriut, gazetarë e jurist në mbarë botën janë shënjestruar nga ai që konsiderohet si “programi më i fuqishëm i spiunimit” që ka ekzistuar ndonjëherë, i cili i është shitur qeverive autoritare nga një firmë izraelite.

The Guardian thotë se në momentin që ky program kalon në telefon e kjo ndodh pa u kuptuar, ai vihet nën një mbikqyrje 24 orëshe dhe mund të kopjojë mesazhet e dërguara apo të marra, fotot e të regjistrojë telefonatat. Përpos kësaj, mund edhe të filmojë fshehurazi përmes kamerës së celularit ose të aktivizojë mikrofonin për të regjistruar bisedat.

E nuk mbaron këtu. Programi Pegasus mund të tregojë ku është personi, ku ka qenë e me kë është takuar. Ekziston një listë me 50 mijë numra të personave për të cilët duket se interesohen klientë të grupit izraelit NSO, i cili mohon nga ana e tij çdo shkelje. Nuk dihet ende se kush e bëri publike listën apo sa telefonë janë hakuar aktualisht.

NSO pretendon se software-i është krijuar për t`u perdorur kundër kriminelëve dhe terroristëve dhe i është vënë në dispozicion ushtrive, agjensive të zbatimit të ligjit e atyre të inteligjencës në vendet me një historik të mirë të të drejtave të njeriut.

Në listë figurojnë veç të tjerash emrat e gati 180 gazetarëve, duke përfshirë këtu reporterë të CNN, New York Times e Al Jazeera.

Top Channel