Momenti tmerrues kur “tornadot e mushkonjave” errësojnë diellin në Rusi

19/07/2021 16:35

Momenti tmerrues kur të ashtquajturat “tornado mushkonjash” errësojnë diellin në Rusi, u regjistruan nga disa amatorë, të cilët thonë se trombat e formuara prej miliona insektesh në lindje të gadishullit të Kamchatkës, kanë shkaktuar kaos e frikë mes banorëve të zonës.

Ato lëvizin me shpejtësi dhe nga distanca, duken si tamam si tornado. Diçka e tillë e këtyre përmasave, nuk ishte parë ndonjëherë ne rajon. Njerëzit thonë se nuk hapnin dot dritaret ndërsa mushkonjat një herë largoheshin, e pastaj afroheshin përsëri në kolona të reja.

Pavarësisht pamjes shqetësuese, ekspertët thonë se vendasit nuk kanë arsye për të pasur frikë. Sipas tyre, bëhet fjalë thjesht për një fenomen çiftimi. Ata shpjegojnë se mushkonjat meshkuj fluturojnë rreth femrave, dhe në momente të tilla, nuk përbejnë kërcënim pasi nuk kanë parësor sulmin ndaj njerëzve.

Banorët e zonës thonë se asgjë duket sikur nuk i largon dot insektet e bezdisshme, e madje as kimikatet nuk kanë dhënë rezultat.

Top Channel