Afganistani tërheq diplomatët nga Pakistani pas pengmarrjes së bijës së ambasadorit (fotot)

19/07/2021 17:45

Afganistani ka tërhequr diplomatët e tij nga Pakistani pas pengmarrjes së bijës së ambasadorit në Islamabad, njoftonte ministria e jashtme afgane.

Silsila Alikhil, bija e Najib Alikhil, ambasadorit të Afganistanit në Pakistan, sipas raportimeve, “është marrë peng për disa orë dhe është torturuar nga individë të panjohur teksa kthehej në shtëpi” të premten.

Fatmirësisht ajo ishte liruar më vonë dhe tani po merr trajtim mjekësor në spital, thuhej në deklaratë, duke shtuar se hetimet vazhdojnë.

Ministria e jashtme e Pakistanit konfirmoi ngjarjen, duke thënë në një deklaratë se Silsila ishte sulmuar “teksa lëvizte me një mjet të marrë me qera” dhe se po kërkonte të gjente fajtorët.

Të dielën Afganistani njoftoi se po tërhiqte ambasadorin Alikhil dhe diplomatë të tjerë në Pakistan “deri në adresimin e kërcënimeve”.

Ministria tha se kishte thirrur ambasadorin e Pakistanit në Kabul, Mansoor Ahmad Khan, të cilit i kishte përçuar “notë të fortë proteste dhe shqetësim për incidentin e rëndë”.

Në deklaratë Afganistani i kërkonte qeverisë së Pakistanit të merrte “veprim të menjëhershëm” për të identifikuar dhe dënuar autorët, si dhe të mbrojë sigurinë e diplomatëve afganë “në përputhje me konventat ndërkombëtare.”

Por ministri i brendshëm i Pakistanit Sheikh Rashid tha dje se incidenti nuk ishte në fakt një “pengmarrje” por një “konspiracion ndërkombëtar” i shkaktuar nga inteligjenca e Indisë, pa dhënë më shumë detaje.

Incidenti i pakuptimtë vjen në fakt teksa Pakistani përgatitet të presë javën që vjen konferencën e paqes në Afganistan, për trajtimin e shqetesimeve te sigurise pas largimit të ushtrisë së SHBA nga Kabuli.

FOTO GALERI
3/5
Incidenti i pakuptimtë vjen në fakt teksa Pakistani përgatitet të presë javën që vjen konferencën e paqes në Afganistan

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA