Basha propozon ‘Platformën Qytetare për Demokracinë’: Bashkëpunim me grupet që kërkojnë ndryshim

17/07/2021 12:09

Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, në kuvendin Kombëtar, ka propozuar Platformën Qytetare për Demokracinë, duke kërkuar bashkëpunim me të gjitha grupet shoqërore që kërkojnë ndryshimin.

Basha tha se rruga drejt realizimi të këtij misioni nuk është e lehtë dhe as e tillë që Partia Demokratike mund ta përshkojë e vetme.

Ajo fillon duke u dhënë pushtet qytetarëve. Ndaj me forcën që na dhanë qytetarët në 25 prill, ne ftojmë shumicën e shqiptarëve që kërkojnë ndryshim rrënjësor në punët e vendit, dhe rezultate të prekshme për veten dhe fëmijët e tyre, që të ndërtojmë së bashku një Platformë Qytetare për Demokracinë”, tha ai.

Basha theksoi se ndërtimi i kësaj platforme do të ketë në themelin e saj rikthimin e legjitimitetit dhe demokracisë në vend.

Ne do të bashkëpunojmë me të gjitha grupet shoqërore: Intelektualë, studentë, pedagogë, sipërmarrës, artistë, gazetarë, profesionistë, fermerë,  të rinj e të reja që kërkojnë kthimin e normalitetit në vend. Që kërkojnë zgjedhje të lira, ndryshime kushtetuese dhe ligjore që garantojnë ndarjen dhe balancimin e pushteteve, që përmirësojnë përfaqësimin politik, që reformojnë ndarjen territoriale dhe demokratizojnë pushtetin vendor”, deklaroi ai.

Top Channel