‘Tenderat po i marrin kriminelët”/ Drejtuesi politik i PS në Fier, i bën thirrje SPAK që të veprojë

16/07/2021 15:32

Petro Koçi drejtues politik i PS në Fier dhe i zgjedhur deputet në këtë qark në zgjedhjet e fundit parlamentare, ka publikuar një deklaratë të fortë e cila në vetvete është një thirrje për SPAK.

“Efektet e SPAK dhe të Reformës në Drejtësi po japin rezultat. Bota e krimit dhe të korruptuarit kanë filluar të ndjejnë frikë nga ligji. Këto efekte i mirëpresim edhe në Fier ku duart e krimit janë shtrirë mbi financat publike. Protagonistë të trafikut të drogës dhe të dhunës tashmë kanë legalizuar subjekte biznesi që fitojnë tendera publikë.”

Petro Koçi jep detaje se si krimi organizuar ka shtritë tentakular në Fier.

“Këtë e realizojnë ose nëpërmjet lidhjeve të drejtpërdrejta me ndonjë titullar institucionesh ose nëpërmjet kërcënimit të zyrtarëve të caktuar që ekzekutojnë prokurimet si edhe nëpërmjet eleminimit të konkurrentëve në procesin e tenderimit duke kërcënuar pronarët e subjekteve të biznesit. Të fuqizuar sidomos duke larë paratë e pista në industrinë e ndërtimit ata vazhdojnë të përvetësojnë fitime kolosale nga taksat tona. “

Organet ligjzbatuese thotë Petro Koci, nuk duhet të lejojnë që qyteti ynë t’i nënshtrohet botës së krimit të organizuar.

Top Channel