Pas përmbytjeve vrastare në perëndim të Gjermanisë, raportohet se grabitësit kanë nisur të vjedhin në shtëpitë e dyqanet e braktisura.
Policia ishte duke shtuar sot patrullimet në zonat e shkatërrimeve katastrofike, ku njerëzit ishin detyruar të largoheshin për të shpëtuar jetën, mes përmbytjeve më të rënda që mbahen mend në këtë zonë.
E përditshmja vendase Bild raportonte disa incidente grabitjesh në qytezën Stolberg në veri të shtetit Rhine-Westphalia.
45 vjeçari Erol Igneci, tha për gazetën se grabitësit kishin vjedhur në dyqanin e tij të rrobave.
“Rrobat në dyqan janë vjedhur nga grabitësit. Unë jetoj në anën tjetër të rrugës, i pashë ata por nuk e ndaloja dot vjedhjen. Ishin rreth 1000 euro mall. Kemi nevojë urgjente për mbrojtjen e policisë”, tha ai.
Në një tjetër rast policia arrestoi një të dyshuar për vjedhje në një dyqan bizhuterish.
Disa qindra policë kanë zbritur tashmë në Stolberg për të mbrojtur dyqanet e shtëpitë e braktisura.
Belgjika ka nisur orë policore gjatë natës për parandalimin e grabitjeve në zonat e prekura nga përmbytjet.
Zhvillimet vijnë pasi të paktën 110 njerëz kanë humbur jetën në përmbytjet e Evropës qendrore dhe rreth 1000 njerëz janë ende të humbur në Gjermani, Holandë e Belgjikë.
Autoritetet kanë dhënë alarm për shembje të mundshme të digave.
Rhine Westphalia veriore është rajoni më i populluar në Gjermani me rreth 18 milionë nga 83 milionë banorët e vendit, ku përfshihen qytete si Dortmund, Dusseldorf e Koln.
Në qytezën e Sinzig, dymbëdhjetë njerëz me paaftësi janë zhdukur kur përmbytjet goditën shtëpinë e tyre të kujdesit.
Top Channel