Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan ka telefonuar kësaj jave presidentin e ri të Izraelit për t’i thënë se të dyja palët duhet të bëjnë lëvizje konkrete për riafrimin mes vendeve.
Zhvillimi i rrallë vjen pasi dy vendet kanë përzënë ambasadorët e tyre në 2018 kur Ankaraja dënoi pushtimin Izraelit të Bregut Perëndimor dhe trajtimin e popullatës palestineze, ndërsa Tel Avivi ka kërkuar që Turqia të ndalojë asistencën për grupin palestinez Hamas që qeveris në qytetin e Gazës.
Zëdhënësi i partisë turke AK në pushtet tha se Erdogan uroi presidentin e ri të Izraelit, Isaac Herzog. Posti i presidentit në Izrael është kryesisht ceremonial.
“Pas telefonatës është ngritur një kuadër për avancimet diplomatike drejt zgjidhjes së problemeve”, tha zëdhënësi turk Omer Celik pas takimit partiak të AK.
Celik theksoi Palestinën, si çështjen kryesore që shqetëson Turqinë dhe gjithashtu tregtinë e gjerë mes dy vendeve, që gjithsesi ka vijuar me intensitet megjithë mosmarrveshjet.
Telefonata erdhi një ditë pas vizitës së presidentit palestinez Mahmoud Abbas në Ankara. Në të Erdogan i tha Herzog se vlerësonte ruajtjen e dialogut dhe se marrëdhëniet Turqi-Izrael ishin kyçe për stabilitetin e rajonit.
Erdogan përsëriti mbështetjen për zgjidhjen me dy shtete të konfliktit Izrael-Palestinë, duke shtuar se hapat konkretë në këtë drejtim do të ndihmonin lidhjet e Turqisë me Izraelin.
Në maj Erdogan quajti Izraelin “shtet terrori” pas sulmit të policisë izraelite ndaj besimtarëve palestinezë në xhaminë Al-Aqsa në Jerusalem.
Telefonata erdhi gjithashtu pasi Naftali Bennett u bë kryeministri i ri i Izraelit, duke zëvendësuar Benjamin Netanyahu, me të cilin Erdogan ka këmbyer shpesh replika.
Top Channel