Varri masiv i ekzekutimeve naziste me rreth 20,000 njerëz zbulohet në Rusi (fotot)

15/07/2021 16:51
Bashkimi Sovjetik llogaritet se humbi rreth 27 milionë njerëz gjatë Luftës së Dytë Botërore

Një varr masiv makabër që besohet se mban dhjetra mijëra viktima të ekzekutimeve naziste, është zbuluar së fundmi në Rusi.

Ekspertët besojnë se në të mund të ketë deri në 20,000 trupa – duke përfshirë gra e fëmijë – të shpërndara në disa vendvarrime rreth fshatit Borki në rajonin rus të Pskov.

Mbetjet e dhjetra viktimave kishin plagë të shumta armësh, sipas analizave të zhvarrosjeve, teksa shumë të tjera pritet të zbulohen.

Gërmimet u urdhëruan kur etnografja e mësuesja vendase Olga Petrova nisi të hulumtonte për aktet e genocidit të kryera në zonë.

Ajo tregon: “Ka kujtime nga Raisa Gorokhova, e cila ishte fëmijë në kohën e ngjarjes. Në një nga disa kamionët ku merrnin njerëzit për t’i ekzekutuar, ajo dalloi fytyrën e mësueses Maria Voitsekhovskaya. Ajo kishte një djalë tre vjeç.”

“Gruaja kishte thërritur: ‘Njerëz të mirë, po na marrin për të na ekzekutuar në Borki. Na ndihmoni.”

Të dhëna historike tregojnë se fëmijë, gra e të moshuar ishin marrë për t’u ekzekutuar. Zbulimet bënë që një hetim genocidi të nisej nga autoritetet ruse, të cilat rrjedhimisht sollën gërmimet.

Igor Neofitov, i grupit të kërkimeve, tha: “Thellësia e varrosjes nuk dihet …por është e qartë se viktimat janë qëlluar disa herë. Te të vrarët kemi parë si këpucë vere ashtu dhe dimri, madje edhe fëmijë”.

Ai shtoi më tej: “Megjithse operacionet e kërkimit vazhdojnë, ne nuk e njohim ende masën e katastrofës. Kemi zbuluar vendndodhjen e parë, por puna kërkimore këtu duket se do të vazhdojë me muaj e jo disa javë”.

Forcat gjermane pushtuan zonën në 1941 dhe llogaritet se 20,000 civilë janë eliminuar këtu.

Disa dokumente që siguruara nga hetuesit thonë se viktimat ishin sjellë këtu për t’u ekzekutuar nga rajonet e Pskov e Smolensk.

Elena Tsunaeva, e organizatës së kërkimeve, tha: “Pas fundit të luftës kishin nisur disa hetime, por jo të gjithë u dënuan. Tashmë dokumente të reja do të ndihmojnë për hartimin e listës së plotë të njerëzve që u bënë viktima të këtij genocidi gjatë viteve të luftës”.

Bashkimi Sovjetik llogaritet se humbi rreth 27 milionë njerëz gjatë Luftës së Dytë Botërore, mes të cilëve rreth 8.7 milione personel ushtarak dhe 19 milionë civilë.

Pjesa më e madhe e te vrareve ishin rreth 5.7 milionë rusë etnikë, të ndjekur nga rreth 1.3 milionë ukrainas etnikë.

Afro çereku i popullsisë së Bashkimit Sovjetik u plagos ose u vra gjatë konfliktit.

FOTO GALERI
5/6
Forcat gjermane pushtuan zonën në 1941 dhe llogaritet se 20,000 civilë janë eliminuar këtu.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA