Përmbytjet e papritura shkaktojnë kaos në Zvicër, Holandë, Belgjikë, Gjermania nxjerr autoblindat (fotogaleri)

15/07/2021 15:32

Dhjetra njerëz kanë vdekur dhe të paktën 70 janë ende të humbur nga stuhitë e papritura të shirave në të gjithë Evropën qendrore e veriore. Makina e shtëpi u morën nga ujërat në Gjermani dhe disa pjesë të Belgjikës.

Më e goditura ishte Gjermania Perëndimore me të paktën 30 të vdekur në rajonet  Rhine-Westphalia dhe ai fqinjë Rhineland-Palatinate.

Qyteza e Schuld, në jug të Bonn, ishte gjithashtu e dëmtuar rëndë më të paktën katër të vdekur e dhjetra të humbur pas ngritjes së lumit Ahr, që mori me vete gjashtë shtëpi, ndërsa të tjerë banorë strehoheshin në çatitë e banesave të tyre.

Tetë njerëz dhe dy zjarrfikës u vranë në rajonin Euskirchen gjatë përpjekjeve të shpëtimit, ndërsa rreth 300 ushtare ishin dislokuar në vend, duke punuar me autoblinda, helikopterë dhe gomone.

Në Belgjikë katër njerëz janë vrarë nga ujërat e përmbytjeve dhe një vajzë 15-vjeçare është e humbur. Dhjetë shtëpi u shembën në bashkinë e  Pepinster të përmbytura nga lumi Vesdre ndërsa banorët e rreth 1,000 shtëpive u evakuan.

“Nuk kemi parë përmbytje të tilla që prej vitit 1998”, tha kryebashkiaku i qytezës belge Chaudefontaine, Daniel Bacquelaine.

Rezidentët e Limburg, në Holandë u evakuan nga përmbytjet e natës, por nuk u raportuan viktima.

Përmbytjet e lumenjve goditën Zvicrën dhe skena të ngjashme shiheshin dhe në Luksemburg. Parashikuesit francezë dhanë sot paralajmërime për stuhi për lindjen e vendit.

FOTO GALERI
2/28
Schuld u përmbyt nga lumi Ahr që shkaktoi rryma të forta nëpër rrugë, duke marrë me vete shtëpi e makina.

Top Channel