Nën një atmosferë fantastike në “Loro Boriçin” që “ziente” nga tifozëria e zjarrtë shkodrane, Vllaznia arrin të bëjë mrekullinë, duke triumfuar me rezultatin e pastër 3-0 ndaj boshnjakëve të Siroki Brijeg dhe duke siguruar biletën për në turin e dytë eliminator të Conference League.

Shkodranët vinin në këtë takim pa trajnerin Brdaric dhe mesfushorin Ardit Krymi, të ndëshkuar me karton të kuq një javë më parë në Bosnjë, teksa misioni ishte zhvlerësimi i humbjes së padrejtë me rezultatin 3-1, në një sfidë ku protagonist ishte arbitri rus Matyunin. Kuqeblutë e nisën mirë sfidën dhe kërcënuan me Ardit Hoxhën që në fillim, por pa arritur të gjejnë rrjetën. Shkodranët kontrollojnë lojën, por pa krijuar mundësi të mira shënimi, ndërsa miqtë provojnë të ulin ritmin, të favorizuar edhe nga avantazhi i krijuar në ndeshjen e parë.

Braziliani Da Silva u dëmtua dhe u largua në minutën e 30’ për t’i lënë vendin Çobës, por shkodranët nuk demoralizohen dhe i shkojnë pranë golit në minutën e 43-të, aty ku portieri boshnjak Miskic bëri dy ndërhyrje vendimtare. Në shtesën e pjesës së parë Siroki krijoi rastin e vetëm të rrezikshëm, teksa pas një kundërsulmi, Ikic e pa veten i vetëm përballë Zogovic, por malazezi bëri heroin, duke i dalë para dhe larguar topin nga këmbët.

Pjesa e dytë nisi menjëherë vrullshëm për kuqeblutë, që zbritën me Gurishtën, i cili krosoi në zonë, aty ku maqedonasi Djurdjevic devijoi saktë dhe dërgoi topin në rrjetë, i ndihmuar edhe nga shtylla pingule e portës. Shpërthen entuziazmi në “Loro Boriçi”, por edhe fishek-zjarret, që provokojnë një ndërprerje të lojës për disa minuta, pasi arbitri thirri skuadrat përkohësisht në dhomat e zhveshjes.

Pas rreth 7-8 minutash loja rinis me Vllazninë në kërkim të golit të dytë, të cilin e gjen në minutën e 62-të me anë të Eni Imamit, i cili përfitoi pas një rrëmuje në zonë dhe devijoi në rrjetë një top të ardhur me fat nga Jonuzi. Trajneri Plori hedh në fushë kartën Latifi për të gjetur kualifikimin brenda 90 minutave dhe djaloshi nga Prishtina tregon menjëherë klasin, pasi depërton bukur në zonë, por goditja e tij përfundon pak mbi kuadratin e portës.

Gjithsesi goli ishte rrotull dhe erdhi në minutën e 79’, kur pas një kundërsulmi model të shkodranëve, me protagonistë Krujën, e Çobën, ky i fundit shërbeu me një pasim fantastik për Djurdjevic, i cili me një gjakftohtësi për t’u admiruar, dërgoi për herë të tretë topin në rrjetë.

Minutat e mbetura shkodranët i administrojnë mirë, duke mbyllur hapësirat mbrapa dhe mbajtur larg kundërshtarin, teksa vërshëllima finale e arbitrit suedez Sjoberg, bëri që në “Loro Boriçi” të shpërthejë festa për një kualifikim më se të merituar.

Pas Partizanit e Laçit, Vllaznia kompleton mrekullinë shqiptare në turin e parë të Conference League, teksa në të dytin do të garojnë të katër ekipet, pasi do t’u bashkohet edhe Teuta e eliminuar nga Champions League. Vlen të theksohet se shkodranët do të gjejnë përballë qipriotët e AEL Limassolit në turin e ardhshëm.

FOTO GALERI
2/9

Top Channel