Ish i përndjekuri politik, legjenda e qëndresës antikomuniste Uran Kostreci ka ndërruar jetë në moshën 83-vjeçare.
Mesohet se Kostreci prej ditësh ishte i infektuar nga Covid-19 dhe iu nënshtrua një ndërhyrje kirurgjikale, e cila rëndoi gjendjen e tij shëndetësore duke i marrë jetën.
Uran Kostreci njihet për Epopenë e karakalecave dhe dëshmitë për burgjet. Ai kaloi 20 vite në burgjet komuniste
Lajmin për ndarjen nga jeta e ka dhënë kryetari i Shoqatës Antikomuniste të Ish-të Përndjekurve, Nebil Çika.
“Shuhet Uran Kostreci! Me pikëllim të thellë jo njoftojmë se legjenda e qëndresës antikomuniste Uran Kostreci ndërroi jetë sot. Në emer tim dhe të përndjekurve politikë antikomunistë të Shqipërisë ju shpreh ngushëllimet familjareve miqve bashkëvajtjeve dhe bashkëluftëtarëve të tij. Qofsh i parajsës vëllai ynë, kampion i qendresës, asketi i lirisë! Për oraret e ceremonisë funerale do tiu njoftojmë sapo ti vendosim”, shkruan Çika.
Kush është Uran Kostreci?
Uran Kostreci lindi më 1938, në Sarandë. Ai u arrestua nw 5 gusht 1961. Më 28 tetor 1961, Gjykata Ushtarake e Tiranës e dënoi për «tradhti ndaj atdheut», e mbetur në tentativë, me 15 vjet burg, konfiskimin e pasurisë së luajtshme e të paluajtshme dhe humbjen e të drejtave elektorale për 3 vjet. Më 28 qershor 1973, Gjykata e Matit, e dënoi se «ka fyer përfaqësuesin e pushtetit», dhe se ka bërë «agjitacion e propagandë», me 8 vjet burg. Kreu gjithsej 20 vjet burg, u lirua më 13 qershor 1981. Pas burgut bëri 5 vjet internim, 1983-1988. Ka filluar të shkruajë poezi që në gjimnaz, por nuk mundi të botohej për arsye biografie. Botimet e para i ka filluar pas rënies së regjimit komunist në shtypin e përditshëm. Ka botuar disa vëllime poezi dhe një novelë. Ndër më të njohurat është poema “Epopeja e karkalecave”
Top Channel