Gjenerali amerikan në Afganistan e dorëzon komandën

12/07/2021 16:56

Gjenerali amerikan në Afganistan, Austin Miller, i ka dorëzuar komandën Gjeneralit Kenneth McKenzie, në një ceremoni zyrtare të hënën në Kabul.

Ceremonia e së hënës përbën një tjetër gjest simbolik, teksa luftës më të gjatë të Shteteve të Bashkuara po i vjen fundi.

Miller ka qenë në Afganistan nga viti 2018, mirëpo në maj presidenti amerikan Joe Biden e ka angazhuar me organizim të tërheqjes së trupave amerikane nga Afganistani, deri në fund të gushtit.

Prej muajit maj, pjesa më e madhe e 2,500 trupave amerikane janë larguar nga ky shtet, duke ua dorëzuar forcave afgane edhe bazën ajrore Bagram.

Nga kjo bazë, forcat ndërkombëtare kanë kryer operacione kundër talibanëve dhe grupeve xhihadiste në dy dekadat e fundit.

Rreth 650 shërbyes amerikanë pritet të stacionohen në Kabul, për të ruajtur zyrën diplomatike të Uashingtonit, ku edhe është zhvilluar ceremonia e së hënës.

Zyrtarë të lartë afganë kanë marrë pjesë në këtë ceremoni, nën masa të rrepta të sigurisë.

Forcat e udhëhequra nga Shtetet e Bashkuara kanë rrëzuar talibanët nga pushteti në tetor të vitit 2001.

Talibanët kanë qenë duke strehuar atëbotë Osama Bin Laden dhe figura tjera të Al-Kaidës, të lidhura me sulmet e 11 shtatorit të po atij viti në Shtetet e Bashkaura.

Presidenti amerikan Joe Biden ka thënë se tërheqja amerikane tani është e arsyeshme, pasi forcat amerikane janë siguruar që Afganistani nuk do të bëhet më bazë për xhihadistë të huaj që të kryejnë komplote kundër Perëndimit./ REL

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA