Ukraina, NATO përfundojnë një stërvitje të përbashkët ushtarake

11/07/2021 08:27

Ukraina dhe NATO-ja kanë kryer për dy javë stërvitje të përbashkëta në Detin e Zi me pjesëmarrjen e dhjetëra anijeve luftarake në një demonstrim të lidhjeve të forta të mbrojtjes dhe aftësive të tyre, pas një konfrontimi midis forcave ushtarake të Rusisë dhe anijeve luftarake britanike në brigjet e Krimesë muajin e kaluar.

Manovrat e quajtura “Sea Breeze 2021” që mbyllen të shtunën, përfshinë rreth 30 anije luftarake dhe 40 avionë nga vendet anëtare të NATO-s dhe Ukraina. John D. John, kapiteni i anijes së marinës amerikane “USS Ross”, që mori pjesë në stërvitje, tha se stërvitja kishte si objektiv të përmirësonte mënyrën se si pajisjet dhe personeli i kombeve pjesëmarrëse veprojnë së bashku.

“Ne jemi të përkushtuar që të garantojmë që të gjitha vendet të kenë qasje në rrugët ujore ndërkombëtare.”

Ministria ruse e Mbrojtjes tha se po monitoronte nga afër stërvitjen. Ushtria ruse zhvilloi gjithashtu një seri stërvitjesh paralele në Detin e Zi dhe Rusinë jugperëndimore.

Muajin e kaluar, Rusia tha se një nga anijet e saj luftarake në Detin e Zi hapi zjarr paralajmërues dhe një aeroplan luftarak hodhi bomba në trajektoren e anijes së Marinës Mbretërore Britanike “HMS Defender”, për ta dëbuar atë nga ujërat territoriale pranë Krimesë, që Moska pretendon se janë të sajat.

Rusia denoncoi praninë e anijes si provokim dhe paralajmëroi se herë tjetër mund të hapte zjarr për të goditur anije të tilla luftarake.

Britania, e cila si shumica e vendeve të tjera nuk e njohu aneksimin e Krimesë nga Rusia në vitin 2014, tha se po lundronte në ujërat ukrainase kur Rusia dërgoi avionët e saj dhe hapi zjarrin paralajmërues.

Incidenti shtoi tensionet midis Rusisë dhe aleatëve të NATO-s./voa

Top Channel