Zgjedhja e kryeministrit të Mbretërisë së Bashkuar/ Burnham drejt udhëheqjes së Laburistëve, siguron mbështetjen e 322 deputetëve

10/07/2026 07:40

Andy Burnham është pranë marrjes së drejtimit të Partisë Laburiste dhe postit të kryeministrit të Mbretërisë së Bashkuar, pasi ka siguruar mbështetjen e 322 deputetëve laburistë në ditën e parë të procesit të nominimeve për zgjedhjen e liderit të ri të partisë.

Burnham është aktualisht kandidati i vetëm i shpallur për të zëvendësuar Sir Keir Starmer. Me vetëm një nominim më pak se 323 votat që do ta bënin matematikisht të pamundur kandidimin e një rivali, ai pritet të zgjidhet pa garë nëse asnjë kandidat tjetër nuk hyn në proces deri në afatin e javës së ardhshme.

Nëse kjo ndodh, Burnham do të shpallet udhëheqës i Partisë Laburiste javën e ardhshme dhe pritet të marrë detyrën e kryeministrit më 20 korrik.

Në reagimin e tij të parë, Burnham u shpreh “thellësisht mirënjohës” për mbështetjen e deputetëve, duke theksuar se ajo vjen nga të gjitha krahët e partisë dhe pasqyron bindjen se Britania ka nevojë për një qasje të re në politikë. Ai premtoi një ekonomi të orientuar drejt qytetarëve, zhvillim për të gjitha rajonet dhe reforma në mënyrën e qeverisjes.

Procesi i kandidimit kërkon që çdo kandidat të sigurojë mbështetjen e të paktën 81 deputetëve laburistë, si dhe nominime nga të paktën tre organizata ose sindikata të lidhura me partinë. Burnham pritet ta përmbushë lehtësisht edhe këtë kriter.

Rruga e tij drejt udhëheqjes u lehtësua pasi ish-ministri i Mbrojtjes, Al Carns, hoqi dorë nga mundësia për të kandiduar, duke e lënë Burnham pa kundërshtar të deklaruar.

Ngjitja e Burnham në krye të Partisë Laburiste vjen pas dorëheqjes së Sir Keir Starmer, i cili u largua nga posti pas presionit të shtuar brenda partisë, të shkaktuar nga humbjet në zgjedhjet lokale dhe rezultatet e dobëta politike.

Burnham, ish-kryetar i Bashkisë së Greater Manchester, u rikthye së fundmi në Parlament pas fitores në zgjedhjet e pjesshme në Makerfield. Ai kishte kandiduar më parë për drejtimin e Partisë Laburiste në vitet 2010 dhe 2015, por pa sukses.

Ndërkohë, Burnham pritet të zhvillojë javën e ardhshme takimin e tij të parë me deputetët laburistë për të paraqitur prioritetet e qeverisjes dhe vizionin e tij politik. Gjithashtu, ai ka nisur konsultimet me administratën shtetërore për përgatitjen e programit të qeverisë së ardhshme.

Sir Keir Starmer, duke komentuar kandidaturën e Burnham, tha se e njeh prej vitesh dhe se beson se ai do të jetë një kryeministër i mirë për Mbretërinë e Bashkuar.

Top Channel