Sulmi vandal ndaj Komisariatit 3 gjatë protestës së 4 korrikut, Gjykata liron në detyrim paraqitje 33-vjeçarin e arrestuar

09/07/2026 13:21

Gjykata ka vendosur masën e sigurisë “detyrim paraqitje” për 33-vjeçarin Erald Heqimaj, i arrestuar pas incidentit të ndodhur në Komisariatin nr. 3 në Tiranë gjatë protestës së 4 korrikut, siç raporton Anila Hoxha.

Heqimaj, me origjinë nga Fieri dhe banim në Tiranë, u arrestua pas përplasjeve të shënuara pranë ambienteve të komisariatit, ndërsa tashmë do të hetohet në gjendje të lirë.

Prokuroria kërkoi vendosjen e së njëjtës masë sigurie, kërkesë që u pranua edhe nga gjykata.

Sipas hetimeve paraprake, mbrëmjen e së shtunës, në përfundim të protestës së 35-të, 33-vjeçari, së bashku me persona të tjerë që vijojnë të jenë në kërkim, dyshohet se kanë dëmtuar dyert dhe dritaret e komisariatit, pranë zonës së pritjes për qytetarët.

Nga të dhënat e deritanishme rezulton se Heqimaj nuk ka precedentë të mëparshëm penalë.

Në dëshminë e tij paraprake ai ka deklaruar se veprimet e tij kanë ardhur nën ndikimin e atmosferës së krijuar nga turma gjatë protestës.

Top Channel