SPAK, akses te llogaritë bankare/ Vendimi i ri i qeverisë në luftën kundër pastrimit të parave dhe korrupsionit

10/07/2021 12:05

SPAK, Byroja Kombëtare e Hetimit, Shërbimi Informativ i Shtetit dhe disa institucione të tjera do të kenë akses të plotë në llogaritë bankare të qytetarëve dhe bizneseve.

Vendimi është miratuar në mbledhjen e fundit të Këshillit të Ministrave i cili iu jep po ashtu të drejtën e plotë të përdorimit të regjistrit Qendror të llogarive bankare edhe Drejtorisë së Përgjithshme të Parandalimit të Pastrimit të Parave, Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve që është edhe institucioni që i administron si dhe Drejtorisë së Doganave përmes përdoruesve të autorizuar.

Aksesi në të dhëna specifikon vendimi do të jetë i menjëhershëm dhe i pafiltruar duke iu dhënë mundësinë këtyre autoriteteve të gjurmojnë çdo lëvizje në llogaritë bankare me qëllim identifikimin e pasurive të dyshuara me prejardhje nga veprimtari kriminale si dhe detyrimet tatimore.

Ligji për Regjistrin Qendror të Llogarive parashikon raportimin ditor të të dhënave nga institucionet financiare të mbajtësve të llogarive bankare apo kasetave të sigurisë të mbyllura në 5 vitet e fundit.

Informacionet e çdo subjekti apo individi do të ruhen të plota për një periudhë 10-vjeçare nga mbyllja e llogarisë apo kasetave të mbajtura nga institucionet financiare.

Ngritja e një regjistri qendror për llogaritë bankare vjen si një përpjekje e qeverisë për të dalë nga lista gri e MoneyVal të pastrimit të parave, nga e cila kishte dalë në vitin 2015, ku veç gjurmimit të pasurive të dyshuara, parashikohet edhe ndjekje penale të autorëve për vepra penale.

Top Channel